Sociale

Shqipëria mes vendeve me ekspozim të lartë ndaj valëve të të nxehtit, fëmijët më të rrezikuarit

Nga Gazeta Si- Ndryshimet klimatike po e bëjnë nxehtësinë ekstreme gjithnjë e më të zakonshme në mbarë botën, ndërsa fëmijët konsiderohen grupi më i ekspozuar ndaj pasojave të saj. Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth 1.5 miliardë fëmijë në botë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit që po bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.

Edhe Shqipëria renditet në kategorinë e vendeve me ekspozim të lartë ndaj këtij fenomeni. Të dhënat e fundit nga UNICEF tregojnë se vendi ynë përjeton nga 17 deri në 20 valë të të nxehtit në vit, një nivel i konsideruar i lartë.

Po aq shqetësuese është edhe kohëzgjatja e tyre. Në Shqipëri, periudhat e valëve të të nxehtit arrijnë në 88 deri në 110 ditë në vit, duke e vendosur vendin në kategorinë me rrezik të lartë për ekspozimin afatgjatë ndaj temperaturave ekstreme.

Në raport theksohet se fëmijët, veçanërisht foshnjat dhe të vegjlit, janë biologjikisht më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta sesa të rriturit.

Organizmi i tyre e ka më të vështirë të rregullojë temperaturën trupore, çka rrit rrezikun për dehidrim, goditje nga të nxehtit dhe probleme të tjera shëndetësore.

Valët e të nxehtit nuk maten vetëm nga temperaturat rekord, por edhe nga frekuenca, kohëzgjatja dhe ashpërsia e tyre.

Për qëllime studimi, një valë të nxehti përkufizohet si një periudhë prej të paktën tre ditësh radhazi kur temperaturat maksimale ditore janë 10 për qind më të larta se mesatarja lokale për atë periudhë të vitit.

Rritja e temperaturave globale, e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, po sjell valë të të nxehtit gjithnjë e më intensive në të gjitha rajonet e botës.

Megjithëse zonat tropikale mbeten më të prekura, efektet po ndihen fort edhe në vendet mesdhetare si Shqipëria, ku numri dhe kohëzgjatja e episodeve të nxehtësisë ekstreme po rriten nga viti në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë