Nëntë komisionere, dy prej të cilave shtatzënë, vazhdojnë të mbahen nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve në Prishtinë, pas hapjes së zarfeve me vota nga Serbia.
Këto vota, të cilat vinin nga serbët e Kosovës që jetojnë në Serbi, u kanë shkaktuar alergji dhe skuqje 26 komisionierëve që ishin duke i numëruar, dukë bërë që ekspertët të ngrejnë alarmin për ngjarjen e rëndë.
Për analistin sigurisë, Avni Islami, incidenti i së dielës është një sulm kimik-biologjik ndaj vetë shtetit të Kosovës.
“As zarfet helmuese, të ardhura nga Serbia dhe as gjithçka e keqe që na vjen nga ky shtet nuk do të duhej të ishin befasi për ne”, është shprehur ai. Sipas tij, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), si dhe gjitha institucionet e sigurisë duhet të jenë në alarm 24 orë.
“Kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur në qendrën e numërimit të votave tregon se institucionet përgjegjëse nuk e kanë parandaluar një “sulm kimik-biologjik” me anë të zarfeve”, tha Islami.
Eksperti i sigurisë thotë se ky incident e bën të ngrejë paralele me incidentet terroristëve me “zarfet e antraksit”, të cilat i çoheshin kryetarëve të shteteve për t’i helmuar.
Në reagimin e saj pas skandalit, Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo ngjarje ka shqetësuar jo vetëm familjarët e stafit zgjedhor, por edhe opinionin publik. Sipas saj, të gjitha kutitë e ardhura nga Serbia duhet të hetohen.
Nga Serbia kanë ardhur plot 3 mijë e 700 zarfe dhe sipas dyshimeve, më shumë se gjysma e tyre mund të përmbajnë lëndë kimike, pasi kanë një aromë të fortë . Por ndërkohë që të gjithë po e drejtojnë gishtin nga Beogradi, i cili nuk pranon asnjë lloj përgjegjësie.
Duke komentuar incidentin e rëndë, kryeministrja serbe, Ana Brnabic ka thënë se kjo është “përpjekje e Kosovës për të futur në qeveri “serbët e tyre”. Ajo po i referohej Koalicionit Liria, i cili garoi në zgjedhjet e parakoshme të 6 tetorit kundër Listës Serbe në Veri të Kosovës.
Edhe pse Policia dhe Prokuroria Speciale kanë nisur hetimet, askush në Kosovë nuk di të thotë se çfarë lënde kimike ishte futur në këto zarfe. Po ashtu, as mjekët ende nuk e kanë bërë të ditur se çfarë reaksioni alergjik kanë pësuar komisioneret e shtruara në spital.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se votat e diasporës, të cilat kanë qenë në të njëjtën ndërtesë ku kanë qenë edhe votat e ardhura nga Serbia, do të transferohen në një qendër të dytë.
“Kam frikë se nuk i intereson sesi votuan serbët, dhe serbët që do të hynin në atë qeveri nuk u interesojnë. Bëhet fjalë për njerëzit të cilët kur deshën të ngrinin ushtrinë e Kosovës shkelën edhe Kushtetutën e tyre”, tha ajo duke mohuar përfshirjen e Beogradit në këtë skandal.
Ndërkohë nëntë pacientet e shtruara në Qendrën Spitalore Universitare mësohet se kanë pasur të vjella, skuqje, marrje mendsh dhe kruajtje.
“ 26 zyrtarët e prekur pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë të fortë kimike”, do të konfirmonin në një deklaratë Prokuroria Speciale, si dhe Policia e Kosovës.
Mësohet se shumica e tyre kanë pasur kontakt fizik me këto zarfe dhe kanë filluar të kenë reaksione alergjie.
Sekretari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, thotë së nuk do të nisë numërimi i votave nga Serbia derisa të zbulohet se çfarë lënde është futur në zarfe.
“Ende situata nuk është e qartë. Në ndërtesë ka zarfe që kanë ardhur nga vendet tjera dhe nga Serbia. Zarfi përmban material të ndjeshëm zgjedhor, por nuk do të nisim numërimin pa mbaruar hetimi” , tha ai,
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.