Analize

Zaev në Tiranë për t’i dhënë një mesazh opozitës dhe BE-së

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka dërguar një mesazh të fortë si për BE-në ashtu edhe për opozitën shqiptar, duke theksuar se përparësia më e madhe e vendit tonë në këto momente është integrimi europian.

Ai bëri thirrje Bashkimit Europian të hapte negociatat me Shkupin dhe Tiranën, duke theksuar se priste zhvillime pozite nga Brukseli zyrtar. Si ai, ashtu edhe kryeministri Edi Rama deklaruan se kabinetet e tyre kanë përmbushur të gjitha kërkesat, duke përfshirë reformat e gjyqësorit dhe ato të administratës publike.

Vizita e kret të qeverisë fqinje vjen mes një situate mjaft të tensionuar si në Tiranë ashtu edhe në Shkup, ku të partitë opozitare kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme. I pyetur nëse në Shqipëri po realizohet një “skenar maqedonas” nga ana e opozitës, Zaev, historia e të cilit nisi nga një betejë e fortë opozitare drejt pushtetit si kryetar i qeverisë, i dha një mesazh të fortë të gjithë aktorëve polikë në Shqipëri, veçanërisht opozitës, duke thënë se në asnjë rast ai nuk cenoi të ardhmen e vendit të tij në Bashkimin Europian.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Edi Rama

Sipas Zaevit skenari maqedonas nuk është i ngjashëm me situatën në Shqipëri, pasi raportet e amerikanëve dhe europianëve ishin kundër qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilin e konsideronin regjim hibrib.

"Në kohën kur unë isha opozitë raportet e SHBA, BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por kur flisja me Hahn, Mogerinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që tu jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet. E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë", tha Zaev. Ne ishim opozitë para 21 muajsh sot kam nderin të jem kryeministër. Ne jemi miq të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Gjithmonë kur flisja me Hahn dhe Mogherinin lusja për vendin tim që tu jepej datë e bisedimeve pasi ishte qëllim strategjik për vendin tim pa dallim konfrontimeve si shtet. Obligimi i të gjithëve është shteti. Si mik i republikës së Shqipërisë- tha Zaev.

Në konferencën e përbashkët për mediat, në Pallatin e Brigadave, kryeministri Edi Rama i shprehu mirënjohjen Zaevit për zyrtarizimin e shqipes, të cilin e konsideron si një hap të madh drejt afrimit të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Kryeministri Zoran Zaev

“Ju jam mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe me një vizion largpamës ju çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht moment historik dhe arsyet më shumë që të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i republikës sonë”, tha kryeministri Rama.

Dy kryeministrat duket se e përdorën këtë takim edhe për t’u dërguar një sinjal zyrtarëve të Brukselit, duke u shprehur të gatshëm për krijimin e një zonë të përbashkët ekonomike dhe lehtësimin e kufirit sipas modelit Shengen. Për kryeministrin shqiptar, gatishmëria për tu bërë pjesë e unionit europian dhe lëvizja e lirë duhet ëë tregohet fillimisht me fqinjët. Pas heqjes së kufijve me Kosovën, kreu i qeverisë shqiptare njoftoi edhe lehtësimin e kufirit me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se së shpejti qytetarët do hyjnë dhe dalin në kufijtë e Maqedonisë dhe Shqipërisë pa asnjë pengesë. Rama ndër të tjera tha se Ballkani Perëndimor duhet të krijojë një zonë të përbashkët ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm ashtu siç bëjnë qytetarët e Evropës.

"Modeli Shengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë në Bashkimin Europian. Nëse këtë gjë do të duhet ta bëjmë me anëtarët e BE, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh sot, jo nesër. Herët a vonë do iu japim mundësinë qytetarëve të hyjnë dhe dalin në të dyja shtetet pa asnjë pengesë, kontroll, pa asnjë problem ashtu siç hyjnë dhe dalin në vendet e tyre qytetarët e BE", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama

Kryeministri shqiptar ishte i pari që sinjalizoi mbledhjen e dytë e dy qeverive kësaj radhe në Shkup , duke shkëmbyer edhe batuta me delegacionin maqedonas, të cilëve sipas tij u takon të paguajnë drekën. Ndërkohë, Zoran Zaev u përgjigj duke thënë se takimi mes dy qeverive do të ndodhë në verë, pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Gjatë konferencës të përbashkët, dy kryeministrat u përqendruan edhe tek përmirësimi i infrastrukturës mes dy vendeve, Rama deklaroi se shtrirja e rrugës së Arbrit në segmentit Bllac-Shkup është nevojë strategjike e te dyja vendeve.

"Janë shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë. Shikojmë një rritje të ndjeshme të volumit tregtar mes dy vendeve. 11% në vitin e kaluar është shumë pak në krahasim me mundësitë tona, me potencialin por është shumë krahasuar me më parë. Ashtu sikundër një sërë veprash në infrastrukturë na bashkojnë në interes të përbashkët. Ne jemi në kantier në rrugën e Arbrit dhe shtrirja në segmentit Bllac-Shkup është një nevojë strategjike dhe sigurisht sipas mundësive dhe planeve të qeverisë suaj do hyjë në proces në momentin e duhur që kam besim do jetë jo i largët", u shpreh kryeministri.

Edhe për Zoran Zaev ndërtimi i hekurudhave dhe rrugëve që lidhin dy vendet fqinje është më se i domosdoshëm për si për lëvizjen e qytetarëve ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kreun e vendit fqinj njoftoi mes të tjerash krijimi i një “one stop shop” në Qafë Thanë, ndërtimin e një hekurudhë Kërçovë-Lin dhe ndërtimin e një rruge lidhëse Kërçovë-Dibër.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Edi Rama

" Institucionet tona do të shfrytëzojnë momentin për obligime të përfunduara mes institucioneve. "One stop shop", në Qafë-Thanë pikë e përbashkët kufitare, të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjerëve që tani është e pakëndshme, këtë e kemi obligim ta realizojmë. Do të ketë vetëm një kontroll, e njëjta do të ndodhë edhe për mallrat, ky është hap pozitiv. Qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, shmangien e kufijve dhe anëtarësimin në familjen evropiane, hapat që po na çojnë drejt kësaj rruge", tha Zaev.

Nga ana tjeter, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me çfarë po qarkullon në media pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që Rusia ka rritur ndikim e saj në Shqipëri. Shefi i qeverisë u përgjigj se kjo dihet tashmë dhe nuk është një gjë sekrete. Kreu i ekzekutivit tha se Rusia nuk i do vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Shqipëria ka axhendën e saj kombëtare.

"Rusia nuk është vend tifoz i BE-së i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s'mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet", tha kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me Zoran Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë