Mendim

Zaev mbyll fushatën mes premtimeve për shqiptarët

Më 30 shtator, qytetarët maqedonas do të votojnë në një referendum që mund të ndryshojë jo vetëm emrin, por edhe historinë e vendit. Pas një karvani të gjatë vizitash nga liderët më të fuqishëm perëndimorë dhe pas një fushate intensive nga të gjitha palët politike, në Maqedoni ka  heshtje zgjedhore.

Mesnatën e të premtes përfundoi zyrtarisht fushata dhe filloi heshtja 48-të orëshe para referendumit, i cili do të vëzhgohet nga rreth dhjetë mijë vëzhgues nga Maqedonia dhe rreth 500  të huaj.

Të drejtë vote sipas autoriteteve, kanë rreth 1.806.336 votues të regjistruar në Listën Zgjedhore. Qendrat e votimit do të hapen prej orës 7.00 deri në orën 19.00, por një ditë para referendumit, të shtunën, do të votojnë të sëmurët, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit, si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.

Zakonisht, kur komuniteti ndërkombëtar fliste për “pikat e nxehta” në Ballkan, i referohej  Bosnjës apo Kosovës. Ajo që “kishin harruar” shumë ekspertë është se për më shumë se njëqind vjet, Maqedonia ka qenë në zemër të gjeopolitikës rajonale. Por tanimë sytë e të gjithëvë janë nga Shkupi, mes shqetësimeve se nëse numri i qytetarëve që do t’u drejtohen kutive të votimit është më i ulët se 50%, rezultatet nuk do të merren parasysh nga opozita

Për çudinë e të gjithëve, deklaratën e fundit publike para heshtjes zgjedhore, Kryeministri Zoran Zaev vendosi ta jepte në një intervistë për televizionin kombëtar shqiptar “Alsat”. Zaev shprehu kënaqësi dhe mirënjohje për të gjithë shqiptarët që kanë qenë përkrah tij gjatë këtyre proceseve të rëndësishme. Madje ai tha se me zyrtarizimin e Marrëveshjes me Greqinë, gjuha shqipe dhe identiteti shqiptar do të jenë më të mbrojtura se kurrë.

https://www.youtube.com/watch?v=9whARhhk2TY#action=share

“Nëse identiteti shqiptar do të ishte në rrezik, do e mbroja ashtu siç e kam mbrojtur gjuhën dhe identitetin maqedonas. Do bëja të njëjtën gjë. Identiteti shqiptar dhe as gjuha shqipe nuk po kontestohet dhe nuk do të kontestohet në të ardhmen”, theksoi Zaev.

Ndryshe nga referendumi për shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia, shqiptarët e Maqedonisë duket se do të jenë shumica dërrmuese që do shkojë më drejt kutive të votimit, për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. Marrëveshja mes kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut grek, Alexis Tspiras ka marrë jo vetëm mbështetjen e Perëndimit, por edhe partive shqiptare në Maqedoni. Edhe pse e para që u prononcua ishte BDI-ja e Ali Ahmetit, referendumi u mbështetet edhe nga shqiptarët që janë në opozitë, me shpresen se ratifikimi i marrëveshjes së emrit dhe hyrja e Maqedonisë në NATO, janë garancia e vetme për të drejtat e tyre.

I ftuar në emisionin “Rruga Drejt”, kryeministri Zaev theksoi edhe njëherë se respektimi i vendimit të qytetarëve do të jetë një obligim i pakushtëzuar. Sipas tij, nëse kalon me referendum, marrëveshja me Greqinë do të aprovohet nga të gjithë deputetët.

“Nuk ka dilema nëse do t’i kemi 80 vota në parlament. Unë pres që të gjithë të votojnë. Qytetarët janë ata që do të marrin vendimin dhe ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse t’i kuptojmë, respektojmë dhe të implementojnë vendimin e tyre”, deklaroi kryeministri.

Ai u shpreh optimist për rezultatin e referendumit të 30 shtatorit dhe mohoi t’i ketë afruar amnisti funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët dolën kundër partisë së tyre, duke e mbështetur referendumin për çështjen e emrit.

Krministri Zoran Zaev  jep intervistë për televizionin shqiptar “Alsat”.

Pak ditë më parë, Zaev u përqendrua edhe tek përfitimet ekonomike që do të sillte aprovimi i marrëveshjes të emrit të Maqedonisë nëpërmjet referendumit popullor, duke thënë se tregtia e Maqedonisë me Greqinë do të dyfishohet.

Ndërkohë aleati i tij më i madh në këtë nisëm, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi gjatë mbylljes së  fushatës së referendumit, se 30 shtatori është shansi i fundit i qytetarëve maqedonas për një të ardhme të sigurt për brezat e ardhshëm.

“Më 30 shtator shënohet vija midis së kaluarës dhe ndërtimit të së ardhmes, midis regresit dhe progresit, midis integrimit dhe izolimit, midis lindjes dhe perëndimit. 30 shtatori na bën bashkë, shqiptarë e maqedonas, turq e romë, për realizimin e ëndrrës së përbashkët për Maqedoninë euroatlantike. Vota jonë më 30 shtator është përcaktim i secilit prej nesh për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, për një rajon të stabilizuar, për sundim të ligjit e për shtet të së drejtës, zhvillim ekonomik, për më shumë investime vendore e të huaja, për mirëqenie shoqërore!”, deklaroi Ahmeti. "Pak gjenerata kanë mundësi që të marrin vendime kaq të guximshme dhe kaq të rëndësishme për brezat që do vijnë, prandaj ne kemi përgjegjësi historike që më 30 shtator ta bëjmë hapin e duhur, të votojmë “Pro” integrimit në Aleancën Veriatlantike dhe Bashkimin Evropian!”, përfundoi ai.


Krreu i BDI-së Ali Ahmeti,

Integrimi në BE, ka qenë po ashtu “arma” e zëvëndëskryeministrit shqiptar të Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili theksoi në deklaratën e tij të fundit se vendi ndodhet para një rruge të pakthyeshme drejtë BE-së dhe se tashmë nuk ka më kthim pas.

“Republika e Maqedonisë po shkruan historinë. Delegacioni që unë kryesoj, bashkë me përfaqësuesit e Komisionit Europian, ka filluar procesin e verifikimit dhe fazën e fundit parapërgatitore për hapjen e bisedimeve me BE-në. Sot konstatoj se ia dolëm. Maqedonia po shkon drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Osmani. Krahas tij ndodhej Komisioneri Johannes Hahn, i cili premtoi angazhim të plotë nga ana e Bashkimit Europian për anëtarësimin e vendit.

“Mesazhi kryesor për delegacionin dhe për qytetarët e Maqedonisë është se kemi filluar nga puna. Por kjo nënkupton se kemi edhe shumë punë dhe detyra shtëpie. Theksi do të vihet te shteti i së drejtës. Do të shqyrtojmë 160 mijë faqe të legjislacionit europian, që nënkupton fazën e parë për përgatitjet drejtë anëtarësimit në BE. Marrëdhënia e Maqedonisë me BE-në ka hyrë në fazën përfundimtare. Kjo është rruga përmes së cilës duhet të kaloni për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Ky është vetëm fillimi dhe ka shumë punë për tu bërë”, deklaroi Hahn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë