Politike

Yuri Kim: Tom Doshi të mos lejohet të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit

Nga thirrjet drejtuar kryetarëve të partive për të mos kandiduar persona me precedentë kriminalë dhe të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive të qenësishme, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka kaluar në emra konkretë.

Yuri Kim është rikthyer më shumë se dy vite pas në kohë për të sjellë një shembull se cili kandidat nuk duhet të lejohet që të votohet nga shqiptarët në zgjedhjet e 25 prillit.

LEXO EDHE:
- Ambasada e SHBA: Nga Llalla te Dako e Doshi, 14 shqiptarë “non grata”
- DASH del me deklaratë për Vangjush Dakon: I përfshirë në korrupsion madhor
- Ndëshkimi amerikan, "izolohen" 170 politikanë e zyrtarë shqiptarë

“Ndërsa autoritetet zgjedhore shqiptare përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky përcaktim publik për korrupsion madhor i vendosur nga Sekretari i Shtetit të SHBA pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri votuesit shqiptarë meritojnë më mirë se kaq”, shkruan ajo.

Kryediplomatja amerikane në Tiranë sjell si shembull rastin e Tom Doshit, që në vitin 2018 u shpall person i padëshirueshëm në SHBA me vendim të Sekretarit të Shtetit të asaj kohe, Rex Tillerson.

“Departamenti i Shtetit po përfshin publikisht në listën e personave që u ndalohet hyrja në SHBA deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, Tom Doshi, për shkak të përfshirjes së tij në afera korruptive madhore”, thuhet në njoftimin e asaj kohe të Departamentit të Shtetit.

Doshi nuk është i vetmi i përfshirë në këtë listë. Ajo vazhdon me Adriatik Llallën, Vangjush Dakon dhe besohet se në të janë rreth 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë