Politike

DASH del me deklaratë për Vangjush Dakon: I përfshirë në korrupsion madhor

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur si person "non grata" kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, duke e ndaluar atë dhe të familjen e tij që të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një njoftim zyrtar DASH ka bërë ditur se vendimi penalizues ndaj Dakos u mor nga vetë sekretari i shtetit Mike Pompeo.

"Sekretari i Shtetit po e përcakton publikisht kryetarin e Bashkisë shqiptare të Durrësit Vangjush Dako sipas Seksionit 7031 (c) të Departamentit të Shtetit të FY 2019, Operacioneve të Huaja dhe Aktit të Ndarjeve të Programeve të Përafërta, për shkak të përfshirjes së tij në një rast korrupsioni madhor. Seksioni 7031 (c) parashikon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në një rast korrupsioni të konsiderueshëm ose një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, ata individë dhe anëtarët e tyre të familjes nuk kanë të drejtë hyrjeje në Shtetet e Bashkuara", thuhet në njoftimin zyrtar të DASH.

Gjithashtu bëhet e ditur se "ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të përcaktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjarët e tyre. Përveç përcaktimit të Z. Dako, Departamenti po ashtu përcakton publikisht bashkëshorten e Z. Dako, Alba Dako, djalin e tij, Xhulio Dako dhe vajzën e tij, Kejsi Dako".
Departamenti i Amerikan i Shtetit bën të ditur se ky vendim është një sinjal i fortë që SHBA i jep këtyre vendeve

"Veprimi i sotëm dërgon një sinjal të fortë që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin në të gjithë botën", mbyllet njoftimi i DASH.

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Vangush Dako, sipas Zërit të Amerikës, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Para tij, e njëtja masë është marrë ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm Adritaik Llalla dhe ish deputetit socialist Tom Doshi.

Ligji që u ndalon hyrjen në ShBA të zyrtarëve të huaj, është një prej mjeteve që ka në dispozicion administrata amerikane për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga zyrtarë të huaj. Në ndryshim nga ligjet për dhënien e vizave, ku në rast refuzimi, vendimi është konfidencial, ligji që përcakton zyrtarët e huaj si persona jo të përshtatshëm për të hyrë në Amerikë, nuk është konfidencial dhe mund të bëhet publik.

Ky ligj i ka fillesat në vitin 2008, kur Kongresi, synoi të identifikojë dhe të shpallë të papërshtatshëm për të hyrë në Amerikë zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive për të shfrytëzuar burimet natyrore të vendeve të tyre.

Në vitin 2012, siç thekson VOA, Kongresi e zgjeroi hapësirën e shtrirjes së këtij ndalimi, duke përfshirë në të termin “raste të mëdha korrupsioni” dhe sqaroi se njoftimi për individët përkatës mund të bëhej publik ose të mbetej privat. Rasti i parë që Depaertamenti i Shtetit e përdori këtë ligj, ishte në shkurt të vitit 2018, kur ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla. Në njoftimet e Departamentit të Shtetit nuk përmendet se për cilat raste specifike bëhet fjalë për këta zyrtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë