Treg

Yield-et e obligacioneve vazhdojnë në rënie, por kërkesa në rritje. Bie në 6% për titujt 7-vjeçare

Nga Gazeta ‘SI’ - Obligacionet 7-vjeçare janë titujt e radhës që po përjetojnë rënie të fortë të yield-it. Në ankandin e fundit, kuponi i tyre shkoi në 6% nga pothuajse 8% që ishte në muajin dhjetor (7.98%).

Kërkesa vazhdon të jetë e lartë, me një shumë totale të kërkuar prej rreth 5.3 mld lekë, nga 1.5 mld lekë që ishte shuma e shpallur nga ministria e Financave e cila pranoi kërkesën deri në 1.73 mld lekë.

E njëjta tendencë ka ndodhur muajin e fundit dhe me obligacionet 2-5 vjeçare, dhe bonot e Thesarit.

Rënia e interesit të titujve, siç ka ndodhur edhe me bonot është tregues i uljes së pasigurisë në treg dhe pritshmërive të investitorëve, individë po jo për një ngadalësim të inflacionit dhe rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit. Këto dy të fundit ndikuan në një rritje të fortë të yield-eve të titujve gjatë sezonit të verë-vjeshtës 2022 kur investitorët u mbështetën tek titujt si një alternativë më të sigurt dhe me kthim më të shpejtë dhe të lartë.

Rritja e fortë bëri që qeveria shqiptare të niste një fushatë informimi dhe bindje drejtuar qytetarëve për të investuar në to, “risk zero dhe kthim i lartë”.

Në një konferencë në muajin dhjetor, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha: “Tregu i titujve ka pasur ecuri pozitive. Shuma e kërkuar ishte 50% më e lartë dhe kjo duket sepse norma e interesit është stabilizuar. Shifrat për individët nuk i kemi, por interesi është shtuar”.

Banka e Shqipërisë frenoi rritjen e normës së interesit pak ditë më parë, duke e lënë në nivelin 2.75% dhe duke ndikuar më tej tek interesat e titujve.

Rënia e yield-eve është lajm pozitiv për qeverinë dhe kthimin e borxhit të saj në afatgjatë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë