Treg

Në 2022-shin u përmbys skema e ‘zotërve’ të letrave me vlerë

Nga Gazeta ‘SI’- Gjatë gjithë vitit 2022 tregu i titujve me pakicë të qeverisë u dominua nga investitorët individualë të cilët kanë blerë 49.5 mld lekë me rritje mbi 200% nga viti 2021, përkthyer në 16.630 transaksione,  Bizneset apo shoqëritë kanë blerë 3.1 mld lekë me rritje minimale prej 0.06%, me vetëm 84 transaksione.

Për individët, bonot e thesarit kanë qenë më tërheqëse për shkak të kthimit të tyre në një kohë më të shkurtër, 39.8 mld lekë dhe pjesa tjetër në obligacione, rreth 10 mld lekë, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në raport vjetor, investimet e individëve në bono janë rritur me 461% ndërsa në obligacione 73.4%.

Për ta, kanë qenë më tërheqëse bonot 12 mujore dhe 6 mujore dhe obligacionet 7, 10 dhe 15 vjeçare.

Për bizneset ka qenë e kundërta, ku duket se kërkojnë një investim dhe kthim më afatgjatë dhe të sigurtë, ku më shumë se gjysmën e parave e kanë investuar në obligacione, 1.7 mld. Gjithsesi ky investim ka rënë me rreth 30%, ndërsa ai në bono është rritur ndjeshëm.

Për to, më tërheqëse rezultojnë bonot 12 dhe 3 mujore dhe obligacione 10 dhe 7 vjeçare.

Pjesën më të madhe të tregut si ndërmjetës financiarë për shitje dhe blerje mban Raiffeisen Bank dhe Tirana Bank.

Blerjet më të mëdha më tregun primar të titujve i përkasin fundvitit 2022, tetor-dhjetor, edhe në vlerë edhe në numër pjesëmarrësish. Ishte e njëjta periudhë kur qeveria dhe Banka e Shqipërisë nisën një fushatë informimi dhe bindje drejtuar qytetarëve për të investuar në to, “risk zero dhe kthim i lartë”.

Para pak javësh, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ndoënse nuk kishte shifra, tha se “Tregu i titujve ka pasur ecuri pozitive. Shuma e kërkuar ishte 50% më e lartë dhe kjo duket sepse norma e interesit është stabilizuar. Shifrat për individët nuk i kemi, por interesi është shtuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë