Treg

Yield-et Bonove të Thesarit i rikthehen rritjes

Yield-et e Bonove 1-vjeçare të thesarit në tregun primar kanë bërë kthesë drejt rritjes.

Në ankandin e kësaj jave, bonot 12-mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.26%, nga 1.95% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm.

Ky është niveli më i lartë regjistruar në periudhën pas pandemisë. Qeveria financoi 9 miliardë Lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand ishte më e lartë, në vlerën e 10.6 miliardë Lekëve.

Rritja u shpejtua më tej pasi në muajin mars Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit nga 0.5% në 1%.

Kërkesa është përmirësuar gjatë muajit maj, por, ashtu siç pritej, investitorët kanë kërkuar yield-e më të larta për të blerë instrumentet e borxhit qeveritar.

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se, sipas skenarit bazë të parashikimeve, politika monetare do të ndjekë një proces normalizimi gjatë dy viteve të ardhshme.

Kjo nënkupton rritjen graduale të normës bazë të interesit, në masën e nevojshme për të shënjestruar objektivin ligjor të inflacionit prej rreth 3%.

Rritja graduale e yield-eve pritet të ndikojë në kohë edhe në rritjen e normave të interesit të depozitave dhe të kredive në Lekë. Interesi i kredive afatgjata në lekë zakonisht ndërtohet bazuar në interesin e Bonove dhe në një marzh fiks.

Rritja e yield-eve të Bonove pasqyrohet kështu automatikisht në interesin total të kredisë, në rivlerësimet periodike të parashikuara në kontratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë