Bota

Xi pret Putinin në Pekin/ Presidenti rus: Kina dhe Rusia luajnë rol stabilizues në botë

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u prit këtë të mërkurë në Pekin nga lideri kinez Xi Jinping. Një takim ky që synon të rikonfirmojë partneritetin strategjik mes dy vendeve, vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë.

Xi Jinping organizoi një ceremoni zyrtare pritjeje për Putin në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, ndërsa më pas delegacionet zhvilluan bisedime dypalëshe.

“Rusia dhe Kina janë të përkushtuara për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. Të dy vendet luajnë një rol stabilizues në skenën ndërkombëtare”, tha Putini.

Dy liderët pritet të firmosin plot 21 marrëveshje bashkëpunimi, raporton BBC.

Putin & Xi

Siç raportohet deri më tani, lideri i Kremlinit ka deklaruar se bisedimet private me presidentin kinez kanë qenë “miqësore dhe substanciale”, duke theksuar se takimi është zhvilluar në një atmosferë besimi dhe bashkëpunimi tradicional mes dy vendeve. Sipas agjencisë RIA Novosti, Putin ka thënë se në format të ngushtë janë diskutuar çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh.

Para udhëtimit, Putin publikoi një video ku theksonte se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur një nivel të paprecedentë mirëkuptimi. Kjo lidhet edhe me varësinë gjithnjë e më të madhe të Rusisë nga ekonomia kineze pas luftës në Ukrainë, si dhe me interesin e Moskës për të diskutuar ndërtimin e një tubacioni të ri gazi mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Kina po tregohet më e kujdesshme, pasi kërkon të ruajë marrëdhënie të qëndrueshme edhe me Perëndimin, ndërsa liderë perëndimorë kanë vizituar Pekinin për marrëveshje tregtare.

Për këtë arsye, Pekini ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Xi Jinping kërkon të shfaqet si një lider që mund të komunikojë me të gjitha palët dhe të forcojë rolin e Kinës në skenën globale.

Nga ana tjetër, Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se Kina ka rënë dakord të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për uljen e tarifave doganore mbi mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë për secilën palë. Po ashtu, Kina do të blejë 200 avionë Boeing! Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do t’i garantojnë Kinës furnizime për pjesë dhe komponentë të motorëve të avionëve, duke siguruar vazhdimësinë e zinxhirit të prodhimit dhe furnizimit.

Steve Witkoff

Ndërkohë, është bërë e ditur se i dërguari amerikan për investime dhe bashkëpunim ekonomik, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Rusinë shumë shpejt, megjithatë ende nuk ka detaje për kohën apo agjendën e vizitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë