Futboll

Xhon Terri tërhiqet nga futbolli, ka fituar gjithçka me Çelsin

Një nga emblemat e Çelsit në dekadat e fundit, mbrojtësi dhe kapiteni i skuadrës londineze, Xhon Terri, ka vendosur të zyrtarizojë tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 37-vjeçare. Ishte pranë kalimit te Spartaku i Moskës në Rusi, për tashmë ka ndryshuar mendje dhe e pret skuadra U-23 e Çelsit si trajner. Lajmin e ka dhënë vetë lojtari me një postim në Instagram.

Emri i Xhon Territ është i lidhur ngushtësisht me Çelsin, ku ka luajtur praktikisht gjithë karrierën e tij, duke përjashtuar sezonet me Notingemin dhe Aston Vilën. Me blutë e Londrës ka fituar 5 tituj kampion në Premier League, 4 Kupa të Anglisë, 3 Kupa të Ligës, 4 Superkupa të Anglisë, 1 Europa League dhe 1 Champions League.

Xhon Terri feston me trofeun e titullit kampion në Angli

Terri ka qenë një nga lojtarët flamur të Çelsit, ku erdhi që në moshën 14-vjeçare dhe debutoi në vitin 1998 në Premier League, në kohën kur skuadra drejtohej nga trajneri Xhanluka Viali. Një përrallë që zgjati 20 vjet. Mbrojtësi i qendrës regjistron 717 ndeshje me Çelsin dhe 67 gola me fanellën blu, me të cilën ku ka fituar gjithçka. Për 13 vjet ka mbajtur shiritin e kapitenit, në periudhën 2004-2017.

https://www.instagram.com/p/BopLXWhhb_d/?utm_source=ig_web_copy_link
Postimi i Xhon Territ në Instagram

Mbrojtësi anglez ka qenë gjithashtu një titullar stabël i kombëtares së Anglisë nga viti 2003 deri në vitin 2012. Ai ka luajtur dy Botërorë dhe tre Europianë me fanellën e “Tre luanëve”, në total numëron 78 ndeshje dhe 6 gola të shënuar. E ardhmja e tij i përket trajningut dhe karrierën e re do ta nisë me ekipin U-23 të Çelsit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë