Politike

Xhaçka: I kemi bërë detyrat e shtëpisë, zgjedhjet e lira na hapin derën e integrimit

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend se vendi ynë i ka plotësuar 15 kushtet e kërkuara për çeljen e negociatave me BE.

“Besoj se shpreh atë që është perceptimi i pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë, kur them se procesi i integrimit, pavarësisht vështirësive e pengesave, ka fituar një momentum, një përshpejtim të ndjeshëm që e ka sjellë Shqipërinë shumë pranë fillimit të negociatave konkrete të anëtarësimit, kapitull më kapitull.

Është bërë një punë vërtet e madhe për të plotësuar të 15 pikat që u kërkuan nga BE.

Një punë që ka kërkuar angazhimin dhe përpjekjen e shumë sektorëve të shoqërisë e qeverisjes...”, tha Xhaçka

Ministrja nënvizoi se, “Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë”.

“I ka plotësuar të gjithë kushtet që ishin vënë dhe sot meriton një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë.

Lajmi i mirë është që tashmë këtë nuk e them vetëm unë, s’e thotë vetëm Shqipëria, por edhe vetë përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit e vendeve anëtarë.

Ajo që më bën optimiste që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve njëherë me 5 kushte e pastaj me 15, është fakti që mesa duket, brenda vetë BE, ka një ndërgjegjësim që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet, do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE”.

Sipas saj, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të qeta e të gjithëpranuara është çelësi që do të hapë derën e integrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë