Bota

WSJ: SHBA fut industrinë e makinave të prodhojnë armë

Administrata e Trump-it dëshiron që prodhuesit e makinave dhe kompani të tjera prodhuese amerikane të luajnë një rol më të madh në prodhimin e armëve, në një qasje që i ngjan praktikës së përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarë të lartë të mbrojtjes kanë zhvilluar bisedime mbi prodhimin e armëve dhe furnizimeve të tjera ushtarake me drejtuesit ekzekutivë të disa kompanive të mëdha, përfshirë Mary Barra, drejtoreshë ekzekutive e General Motors, dhe Jim Farley, drejtor ekzekutiv i Ford Motor, sipas personave të njohur me diskutimet.

Pentagoni është i interesuar t’i angazhojë këto kompani për të përdorur personelin dhe kapacitetet e tyre prodhuese për të rritur prodhimin e municioneve dhe pajisjeve të tjera, pasi luftërat në Ukrainë dhe Iran po shterojnë rezervat.

Presidenti Trump dhe CEO i Ford-it Jim Farley u panë duke duartrokitur në një qendër prodhimi të Ford-it. Trump dhe Farley ishin në janar në një objekt në Dearborn, Michigan. CEO e GM, Mary Barra, u pa në Zyrën Ovale në shkurt.

Bisedimet, sipas burimeve, ishin paraprake dhe të gjera. Zyrtarët e mbrojtjes kanë pyetur nëse prodhuesit amerikanë mund të shërbejnë si mbështetje për kompanitë tradicionale të mbrojtjes dhe nëse mund të kalojnë shpejt në prodhim ushtarak.

Në bisedime janë përfshirë edhe GE Aerospace dhe prodhuesi i mjeteve Oshkosh, ndër të tjera.

Një zyrtar i Pentagonit tha se Departamenti i Mbrojtjes “është i angazhuar të zgjerojë me shpejtësi bazën industriale të mbrojtjes duke shfrytëzuar të gjitha zgjidhjet dhe teknologjitë komerciale të disponueshme, për të siguruar që forcat tona të ruajnë një avantazh vendimtar”.

Këto diskutime janë ndër më të fundit nga administrata për ta vendosur industrinë ushtarake në atë që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e ka quajtur një “gjendje lufte”.

Bisedimet filluan para luftës në Iran, sipas burimeve, por konflikti dhe presioni mbi rezervat e municioneve e kanë bërë edhe më të qartë nevojën për rritje të prodhimit. Pentagoni po kërkon gjithashtu partnerë komercialë për të rritur shpejt prodhimin e municioneve dhe teknologjive si raketat dhe sistemet kundër dronëve.

Gjatë bisedimeve me drejtues të industrisë amerikane, zyrtarët e mbrojtjes e kanë paraqitur rritjen e prodhimit të armëve si një çështje të sigurisë kombëtare.

Ata kanë pyetur kompanitë nëse mund të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve prodhuese vendase dhe kanë kërkuar gjithashtu të identifikojnë pengesat për marrjen e kontratave të reja, nga kërkesat administrative deri te procedurat e tenderimit.

Oshkosh, me bazë në Wisconsin, ka hyrë në dialog me Pentagonin që në nëntor, pas thirrjeve të Hegseth-it për rritjen e prodhimit, tha një përfaqësues i kompanisë.

Diskutimet e saj janë fokusuar në mënyrën se si mund të përdorin kapacitetet ekzistuese në përputhje me aftësitë e tyre kryesore. Aktualisht, pjesa më e madhe e të ardhurave të Oshkosh vjen nga sektorë jo ushtarakë.

Kompania prodhon mjete transporti ushtarake për ushtrinë amerikane dhe aleatët, por shumica e biznesit të saj është jashtë sektorit të mbrojtjes.

“Ne kemi qenë duke kërkuar në mënyrë proaktive kapacitete që përputhen me nevojat e tyre,” tha një përfaqësues i kompanisë. “E kemi kuptuar qartë se kjo është e rëndësishme.”

Ligjvënësit dhe Pentagoni janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për kapacitetin prodhues të SHBA-së, sidomos pas dërgesave masive të armëve në Ukrainë pas pushtimit të plotë nga Rusia në vitin 2022.

Buxheti i fundit i Pentagonit, prej 1.5 trilion dollarësh (nëse miratohet), do të ishte më i madhi në historinë moderne dhe përfshin investime të mëdha në prodhimin e municioneve dhe dronëve.

Administrata Trump ka kërkuar më parë bashkëpunimin e prodhuesve të makinave, kur GM dhe Ford bashkëpunuan me kompani të pajisjeve mjekësore për të prodhuar dhjetëra mijëra ventilatorë gjatë pandemisë.

Ideja e ripërdorimit të industrisë civile për qëllime ushtarake ka precedent historik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, prodhuesit e Detroitit ndaluan prodhimin e makinave për të prodhuar bombardues, motorë avionësh dhe kamionë, në atë që u quajt “Arsenali i Demokracisë”.

Sot, një pjesë e madhe e prodhimit ushtarak kryhet nga një numër i kufizuar kontraktorësh. Edhe pse shumë kompani të mëdha jashtë industrisë së mbrojtjes kanë kontrata me Pentagonin, ato shpesh janë të kufizuara në projekte specifike.

GM ka një degë të veçantë për mbrojtjen që prodhon një mjet të lehtë luftarak të bazuar në Chevrolet Colorado. Ky program, së bashku me iniciativa të tjera, po bëhet një burim në rritje të ardhurash, por ende përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të biznesit të përgjithshëm të kompanisë.

Kompania pritet të jetë ndër kandidatët kryesorë për të ndërtuar një mjet të ri transporti për ushtrinë amerikane që do të zëvendësojë Humvee-n. Ky mjet do të shërbejë si bazë e lëvizshme komandimi dhe energjie për trupat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë