Treg

WhatsApp vonon azhurnimin e privatësisë që do të ndante të dhëna me Facebook pasi humbi miliona përdorues

Miliona përdorues të WhatsApp hoqën dorë nga aplikacionin kur doli lajmi se duke filluar nga 8 shkurti, do të ndante të dhënat e tyre me Facebook. Por për shkak të një humbje kaq të madhe, WhatsApp tani po shtyn ndryshimin e ndarjes të të dhënave.

Drejtuesit kanë thënë se po e bëjnë këtë pauzë për të pastruar emrin dhe për të bindur njerëzit se e kanë kuptuar gabim lajmin.

Sidoqoftë, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme pasi shumë njerëz u dyndën në aplikacionet më të reja të mesazheve Signal dhe Telegram.

“Ne kemi dëgjuar nga kaq shumë njerëz se sa konfuzion ka rreth azhurnimit tonë të fundit” shkroi WhatsApp në një postim.

WhatsApp njoftoi ndryshimin e politikës së privatësisë më 7 janar, i cili kërkonte që të gjitha vendet jashtë Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar të lejonin aplikacionin të ndante të dhëna me Facebook.

Telegram mori gati 1.7 milion shkarkime dhe Signal fitoi 1.2 milion shkarkime që kur WhatsApp njoftoi përdoruesit për azhurnimin e privatësisë.

“Njerëzit nuk duan më të shkëmbejnë privatësinë e tyre me shërbime falas.” tha Pavel Durov, themelues i Telegram pa iu referuar drejtpërdrejt aplikacionit rival.

Elon Musk gjithashtu mund të ketë ndihmuar me humbjen e miliona përdoruesve të WhatsApp pasi miliarderi shkroi në Twitter 'Use Signal' në 7 Janar, e cila ishte në të njëjtën ditë kur Signal pa një rritje masive në shkarkime.

Instalimet e WhatsApp gjithashtu ranë afërsisht 13% në 10.3 milion shkarkime në shtatë ditët e para të janarit, krahasuar me shtatë ditët më parë.

Azhurnimi ka të bëjë me atë se si tregtarët që përdorin WhatsApp për të biseduar me klientët mund të ndajnë të dhëna me Facebook, të cilat mund të përdorin informacionin për reklamat e synuara.

"Ne nuk mund t'i shohim mesazhet tuaja private ose t'i dëgjojmë thirrjet tuaja dhe as Facebook", tha WhatsApp në një postim.

Ekspertët e teknologjisë vërejnë se kërkesa e re e WhatsApp për përdoruesit e saj e bën ligjërisht të detyrueshme një politikë që është përdorur gjerësisht që nga viti 2016.

Facebook synon të lejojë bizneset të kontaktojnë klientët përmes platformës. Ky veprim ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e zyrtarëve qeveritarë që e konsiderojnë atë po aq shqetësues sa publiku.

Autoriteti Turk i Konkurrencës tha se po hap një hetim dhe kërkon që WhatsApp të pezullojë detyrimin e ndarjes së të dhënave për përdoruesit e tij.

Reagime ka pasur dhe në Itali, Indi dhe shumë vende të tjera.

“Njoftimi i WhatsApp për përdoruesit nuk kishte qartësi dhe implikimet e tij të privatësisë duhet të vlerësohen me kujdes,” tha agjencia italiane e mbrojtjes së të dhënave GPDP në një postim në faqen e saj të internetit.

Agjencia tha se ka ndarë shqetësimet e saj me Bordin Europian të Mbrojtjes së të Dhënave dhe rezervon të drejtën për të ndërhyrë në këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë