Ne rrjet

Vuçiç po ndërhyn në zgjedhjet e boshnjakëve?

Më shumë se 50 burra të armatosur raportohet se hynë me forcë kuvendin e Sanxhakut, në  rajonin më të madh mysliman të Serbisë, ndërkohë që Presidenti Aleksandër Vuçiç po “përgatit terrenin” për zgjedhjet e ardhshme lokale. I frymëzuar nga “vëllai" i madh rus Vladimir Putin, ai duket se po ndërhyn në votim, duke u imponuar boshnjakëve të Sanxhakut një lider të zgjedhur me kujdes nga Beogradi.

 Zyrtarët serbë janë akuzuar se kanë ndërhyrë në zgjedhjet për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar boshnjak duke mbështetur listën zgjedhore të politikanit Muamer Zukorliç.

50 përkrahës të Zukorliç u përpoqën të hynin me forcë në asamblenë lokale të Sanxhakut të hënën, ndërkohë që ekspertët ngritën alarmin se lufta për kontrollin e Këshillin Kombëtar kishe  filluar dhe ishte tanimë e pamëshirshme. Aktivistja e të drejtave të njeriut dhe politikanja e opozitës Aida Coroviç tha se Zukorliç dhe shteti serb, që e mbështeste atë, "po bën gjithçka" për të “shtënë në dorë” këshillin.

Novi Pazar

"Meqenëse Zukorliqi nuk ka aq shumë ndikim në Sanxhak, ai po përpiqet të marrë këshillin kombëtar me forcë", i tha Coroviç BIRN-it. Sipas saj, nëse ai korrte pushtet, Zukorliç do të bëhej një partner më i rëndësishëm për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke përdorur pozicionin e tij të ri si një trampolinë për të konsoliduar më tej pushtetin në rajonin e Sanxhakut.

Këshillet e pakicave kombëtare në Serbi janë organe që i janë dhënë autoritet nga shteti për të rregulluar ose marrë pjesë në vendimmarrje për çështje të caktuara në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhëve amtare dhe alfabetit të minoriteteve.

Rreth 475,000 qytetarë do të zgjedhin udhëheqësit e tyre rajonal për 20 këshilla të ndryshme kombëtare në zgjedhjet e 4 nëntorit. Në Novi Pazar, ku përkrahësit e Zukorliç u përpoqën të hynin me forcë në asamble, Këshilli Kombëtar Boshnjak kontrollohet nga Partia e Veprimit Demokratik.

Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe Presideti Erdogan vizitojne Novi Pazar

Autoritetet e qytetit publikuan një njoftim për shtyp duke theksuar se incidenti erdhi si rezultat i mungesës së mbështetjes për Zukorlic në Novi Pazar. Udhëheqësi i tanishëm i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Ugljanin, ishte ministër i qeverisë deri në vitin 2014, kur pati një përplasje të ashpër me partinë e Vuçiçit. Ai dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë bashkëpunojnë tanimë vetëm me rivalët e Ugljanit në Sanxhak, veçanërisht me Zukorliç.

Dusan Janjiç, drejtor i një OJQ-je bazë në Beograd tha se nuk beson 50 burra të armatosur sulmuan kuvendin e Novi Pazarit, por pranoi se Zukorliç ka mbështetjen e Vuçiçit në zgjedhjet e ardhshme të 4 nëntorit. Janjiç tha për BIRN-in lufta për Këshillin Kombëtar boshnjak vjen pasi shteti nuk dëshiron t’u japë pakicave autonomi të vërtetë.

"Vuçiç do t’i kthejë këshillat kombëtare, në këtë rast Këshillin Kombëtar Boshnjak, në një organ shtetëror të qeverisur nga Beogradi", tha Janjiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë