Mendim

Vuçiç: Njohim Kosovën nëse marrim diçka në këmbim!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç la të kuptohej të hënën se Serbia mund të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet sovran, por se do të kërkonte diçka në këmbim nga Prishtina zyrtare si pjesë e një marrëveshjes përfundimtare.

"Ne duhet së pari të arrijmë një kompromis, por ne nuk mund ta njohim Kosovën pa marrë asgjë nga ana tjetër", tha Vuçiç në një intervistë për agjencinë italiane ANSA.

Serbia dhe Prishtina kanë qenë nën presion të fortë ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje të detyrueshme në qoftë se duan të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe pse deri më tani, ndërmjetësit e vetëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë BE-ja dhe SHBA-ja, kreu serb ka paralajmëruar edhe ndërhyrjen e Kinë dhe Rusisë.

"Unë jam i sigurt se me ndihmën e miqve tanë evropianë dhe me mbështetjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera, ne mund të arrijmë një zgjidhje," tha ai. Megjithatë, presidenti serb nuk e ka përcaktuar ende “shpagimin” që kërkon nga Kosova.

Johannes Hahn, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Sipas mediave në Serbi, zyra e Vuçiçit më vonë kërkoi që ANSA të publikojë një version të ndryshuar të intervistës, në një tregues tjetër se sa e ndjeshme është çështja e Kosovës në vendin më të madh të Ballkanit Perëndimor. Agjencia e lajmeve “Beta” tha se ANSA në të vërtetë kishte botuar një version të ri, i cili nuk përmend njohjen e Kosovës.

"Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha sot se një kompromis me Prishtinën nuk do të ishte humbje, por e ardhmja e Serbisë dhe se detyra e tij është t'u shpjegojë serbëve rëndësinë e një marrëveshjeje”, shkruan “ANSA” në hyrje të intervistës.

Deklarata e Vuçiçit për njohjen e Kosovës është pritur me furi nga mediat serbe, të cilat aludojnë se në këmbim, Serbia mund të kërkojë Veriun, por nuk përcaktojnë nëse Prishtina mund të rimarrë Preshevën. Edhe pse të dyja palët duket sikur janë tanimë më të distancuara se kurrë, ekspertët thonë se sapo të zgjidhet çështja e tarifave, Thaçi dhe Vuçiç do t’i rikthehen bisedimeve për shkëmbimin e territoreve, pasi në vërtetë ata nuk është se janë larguar asnjëherë nga tryeza e negociatave.

Aleksandër Vuçiç

Edhe pse marrëveshja e arritur prapa kuintave, mori një goditje të fortë falë këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj për ta mbajtur në fuqi taksën ndaj importeve serbe, deklarata e fundit e presidentit serb konfirmon se gatishmërinë e Beogradit për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

Kjo nuk ishte hera e parë që kreu serb flet për njohjen e Kosovës, pasi pas takimit më presidentin rus më dy tetor Aleksandër Vuçiç ka sinjalizuar po ashtu se mund të njohë pavarësinë, në këmbim të anëtarësimit në BE.

“Vuçiç do të jetë i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE. Por, shqiptarët në Kosovë nuk janë të gatshëm të pranojnë asnjë kompromis për të shpëtuar fytyrën e Vuçiçit”, shprehet në atë kohë Pavel Kandel, një ekspert për konfliktet etnike në Institutin e Akademisë Ruse të Shkencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë