Ne rrjet

Vuçiç: Me Ramën dhe Zaevin firmosim “Shengenin e vogël” në tetor

Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara duket se ka bërë bashkë në një sërë takimesh edhe liderët e rajonit, të cilët kanë zhvilluar bisedime me njëri-tjetrin. Nga këto takime duket se është aprovuar edhe ideja e një “Shengeni të vogël Ballkanik”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për mediat e vendit të tij se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Edhe pse nga qeveria shqiptare nuk ka asnjë njoftim, sipas Vuçiç, me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka diskutuar për heqjen e barrierave për bizneset dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe shërbimeve.

Presidenti serb ka theksuar se është diskutuar në takim për një “Shengen të vogël” që pritet të formohet nga tre shtetet: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe i pyetur nga gazetarët, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”.

Madje presidenti serb ka dhënë edhe detaje, duke thënë se një marrëveshje specifike në këtë fushë do të firmoset në konferencën e Novi Sadit, më 9-10 tetor, ku ai pret të jenë të pranishëm Rama dhe Zaev.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç me kryeministrin Edi Rama


“Ajo që diskutuam është se duam të jemi më specifikë. Ne duam të krijojmë lidhje më të thella politike dhe ekonomike dhe të paraqitemi para BE-së si një bllok, sesa individualisht,” u tha Vuçiç gazetarëve.

Ideja e të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” qarkullon prej vitesh, por janë Kosova dhe Mali i Zi që e kundërshtojnë ashpër pasi e konsiderojnë këtë veprim si një përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.

Mitsotakis takon Zaev

Si pjesë e takimeve me drejtuesit e Ballkanit Perëndimor, pas Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiç, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takua të martën në Kombet e Bashkuara me Zoran Zaev.

"Në diskutimin e tyre, sipas burimeve qeveritare, Mitsotakis vuri në dukje se ai nuk do ta kishte nënshkruar Marrëveshjen e Prespës nëse do të kishte qenë në pushtet në vitin 2018.. Ai shtoi se si drejtues i opozitës, kishte bërë gjithçka që të mos ratifikohej" shkruajnë mediat greke.

Por pas ratifikimit të saj, kjo marrëveshje tani është pjesë e ligjit ndërkombëtar dhe për këtë arsye Greqia duhet ta respektojë atë.

Kryeministri i kërkoi homologut të tij maqedonas që të shmangte vonesat në lidhje me aspektet e marrëveshjes, veçanërisht në mbrojtjen e markave tregtare.

Mitsotakis takon Zaev

Zaev shprehu dëshirën e qeverisë së tij që të mos ketë vonesa, duke pritur zbatimin sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të hapura që lidhen me kursin e pranimit të vendit të tij në BE.

Raportohet se klima në takim ishte e mirë dhe ishte shprehur gatishmëria për të vazhduar nga të dy palët e Marrëveshjes, si dhe çështja e markës tregtare.

Zaev shprehu interesimin e tij për procesin e pranimit. Vihet re se vullneti i Europës është të ecë përpara me procesin e pranimit për Ballkanin Perëndimor dhe çështja do të diskutohet në Samitin e ardhshëm të BE.

Zaev ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjes do të ndihmojë investimet greke në vendin e tij.

Kryeministri grek nga ana tjetër është shprehur se mungesa e një marrëveshje në të kaluarën nuk ka penguar zhvillimin e investimeve të Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë