Para

Vrima e zezë e tunelit të Elbasanit

Sabina Veizaj- Tejzgjatja e papërgjegjshme e projekteve publike nga të gjitha qeveritë me kosto shtesë marramendëse, ka qenë përherë një vlerë e shtuar në zbrazjen e xhepave të familjeve shqiptare.

E planifikuar të përfundonte në vitin 2014, rruga Tiranë Elbasan, e cila është cilësuar si një nga projektet infrastrukturore të dekadës, do të hajë ende fonde nga buxheti i shtetit, të cilat do të shkundin xhepat e shqiptarëve ndër vite.

Kur dhe si nisi ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan?

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve çeli tenderin për ndërtimin e dy kilometrave të para të Autostradës së re Tiranë-Elbasan me një vlerë 12 milionë euro në vitin 2010. Në buxhetin e 2011-ës u programuan 70 milionë euro të tjera për të.

Ministria e Transporteve në atë kohë, bënte me dije se duke qenë se autostrada e re do të shtrihej në një pjesë fushore dhe pa ndërlikime, prioritet në gara do të kishin firmat shqiptare, përveçse pjesës së tunelit, gjatësia e të cilit u planifikua 4.3 kilometër për të dy tubat, e cila do të ndërtohej nga një kompani e huaj. Kostoja e rrugës u llogarit 260 milionë euro dhe investimi do të ishte krejtësisht i buxhetit të shtetit. Projekti për këtë rrugë u krye nga studio italiane “Bonifika”.

Autostrada, të dhënat teknike:

Shpejtësia e projektimit është 100-120 km/h

Gjerësia e një vije kalimi është 3.75 m

Gjatësia e rrugës në mbushje 18.5 km

Gjatësia e rrugës në gërmim 17.4 km

Gjatësia totale e viadukteve 4.65 km

Gjatësia totale e tunelit për të dy tubat 4.3 km

Numri i mbikalimeve 7

Numri i nënkalimeve 4

Numri i viadukteve 21

Numri i kryqëzimeve në disnivel 3

Qeveria Berisha më 31 mars 2011 miratoi marrëveshjen me bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Kërrabës, “si një vepër që jo vetëm do të shkurtojë distancën midis dy qyteteve, por do t’i integrojë ato pothuaj në një treg të vetëm.”-shprehej në atë kohë ish kryeministri Berisha.

Sipas marrëveshjes, kostoja totale e projektit arrinte rreth 407 milion dollarë.

Banka Islamike për Zhvillim do të financonte 222.7 milion dollarë.

Bode do të deklaronte në atë kohë se kredia prej 222.7 milion dollarë që ofrohej nga Banka Islamike për Zhvillim do të kishte një maturim 17-vjeçar, tre vjet pa pagesë interesi, më pas interesi do të ishte afro 5 për qind. Me një gjatësi prej 26 km nga 55 km që ishte në atë kohë, Tiranë-Elbasan  do të ndërtohej në kushte teknike për t'u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që lejohej në atë kohë.

Autostrada sipas projektit ishte parashikuar me 3 segmente, i pari me gjatësi 13 km nga unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit. Segmenti i dytë përfshinte ndërtimin e dy tuneleve të ndarë, me dy drejtime të lëvizjes. Tuneli i parë me gjatësi 2.1 km dhe tuneli i dytë 2.3 km. Segmenti i tretë me një gjatësi 10.8 km. Vlera totale e investimit të segmentit prej 400 milion dollarësh do të financohej mes Bankës Islamike për Zhvillim duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë si Fondi i Abu Dabit të cilit iu kërkua të financonte 100 milion dollar, Fondit Saudit për Zhvillim 15 deri në 25 milionë $ dhe fondit të Opek-ut 15 deri në 25 milion dollarë. Pjesa e mbetur do te financohej nga qeveria.

Afati i punimeve u parashikua të zgjaste 18 muaj nga fillimi i punimeve, pra do të hapej brenda vitit 2013. "Aktor" u shpall firma fituese e tenderit që do të ndërtonte një nga veprat më të vështira inxhinerike në Shqipëri.

Por, vetëm një muaj pasi në terren kishin filluar punimet për ndërtimin e kantierit e më pas fillimin e gërmimeve, projekti i tunelit të Kërrabës ndryshon.

Autoritetet shqiptare ndërruan mendim për vendin në të cilin do të shpohej mali i Kërrabës duke e ulur lartësinë me 20 metra.

Bashkë me tunelin, rruga Elbasan-Tiranë pritej të kishte një gjatësi prej rreth 27 kilometrash dhe një kosto paraprake prej rreth 36 miliardë lekë. Tuneli që do të ndërtohej nga “Aktor” do të kushtonte 8.5 miliardë lekë, ndërkohë që autoritetet shqiptare e nisën tenderin në atë kohë me një vlerë fillestare prej rreth 15.4 miliardë lekë.

Inaugurimi i punës në dy tunelet e rrugës Tiranë-Elbasan, u bë vetëm 8 ditë para zgjedhjeve të 8 majit 2013 dhe ministri i transporetve të asaj kohe Sokol Olldashi do të deklaronte se Tunelet e Krrabës do të përfundonin në vitin 2013.

Bilanci i investimeve të rrugës Tiranë-Elbasan, sipas të dhënave zyrtare nga vetë Ministria e Infrastrukturës i ka tejkaluar kostot në mënyrë marramendëse.

Fillimisht, tenderi për këtë rrugë i fituar nga kompania greke “Aktor”, me një vlerë totale 312.5 milionë dollar, fatura i ka arritur në rreth 450 milionë dollarë, ose 44% më shumë nga vlera e tenderuar, shifër e deklaruar nga vetë ministri Gjiknuri në Komisionin e Ekonomisë ditën e martë.

Fillimisht ishte parashikuar që autostrada të përfundonte brenda vitin 2014. Por, gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme për shkak të rrëshkitjes së dheut në një zonë me gjatësi 4 kilometra rreth Ibës dhe Mulletit. Tejkalimi i kostos mbi vlerën fillestare të tenderuar dhe problemet financiare të kompanisë ndërtuese e zvarritën ndërtimin e rrugës për më shumë se 3 vite.

Autoriteti Rrugor Shqiptar do t’i përgjigjej pak kohë më parë një emisioni televiziv se kostoja totale e projektimit të autostradës Tiranë-Elbasan, nga zona e Komunës së Parisit deri në zonën e Bradasheshit, është 160.250.000 lekë (pa TVSH). Nga Komuna e Parisit deri te “TEG”-u është 4.900.258.470 lekë, kurse segmenti TEG-Tuneli i Krrabës-Bradashesh është 313.931.742 dollarë.

ARRSH do të shprehej se kostoja fillestare e parashikuar gjatë fazës së projektimit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan ka qenë 356.000.000 dollarë amerikanë.

Pjesa e autostradës nga Tuneli në Ibë ishte parashikuar të përfundonte brenda 2017-ës, por që ende nuk ka përfunduar.

Ministri Gjiknuri deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se financimet shtesë të rrugës arritën në 51 milionë dollarë, duke e çuar vlerën e saj në 450 milionë dollarë. Gjiknuri tha se me sigurimin e financimit të fundit prej 16 milionë eurosh rruga do të përfundojë brenda vitit. Kreu socialist i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe kërkoi transparencë për të gjitha fondet e shpenzuara.

Ndërtimi i Autostradës Tiranë-Elbasan që nisi më 29 prill të vitit 2011, pas “Rrugës së Kombit”,  ishte vepra e dytë më e madhe publike që ndërtohej në historinë e Shqipërisë.

A do të jetë gati pjesa e mbetur në pranverë 2019?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë