Drejtësia

Vrau 2 motrat te Astiri, Apeli lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Përparim Ademin

Gazeta Si - Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm,ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për Përparim Ademin, i cili vrau 2 motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi në 31 dhjetor 2020 në zonën e Astirit në Tiranë.

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe kërkoi kthimin e çështjes për rigjykim. Por trupa gjykuese me drejtuese Valdete Hoxhën ka lënë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm.

Në 31 dhjetor 2020, Përparim Ademi shkoi i armatosur me kallashnikov, të cilin e kishte fshehur në një çantë në banesën e motrave Metani dhe Bardhi.

Në hyrje të pallatit, ai ka lënë biçikletën e tij. Pa u futur ende brenda apartamentit, 59-vjeçari ka shkrepur armën. Dhe kjo vërtetohet nga shenja e plumbit që ka mbetur në derën kryesore të banesës.

Pasi ka hyrë në brendësi, Përparim Ademi qëlloi me breshëri kallashnikovi dy motrat. Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi mbetën të vdekura në vend.

13 minuta më vonë, Përparim Ademi largohet nga e njëjta rrugë. Ai përshkon të njëjtin itinerar, por kësaj radhe pa biçikletë.

Pasi vrau me gjakftohtësi dy motrat, 59-vjeçari u arrestua rreth 1 orë më vonë nga policia pranë shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë