Drejtësia

Vrasja në Astir / Ademi kishte lidhje me të dyja motrat, me njërën kishte edhe fëmijë

Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në burg Përparim Ademin, i cili më 31 dhjetor vrau me breshëri automatiku të dashurën e tij dhe motrën e saj në zonën e Astirit në kryeqytet.

Ademi u gjykua për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare me dashje” që dënohet me jo më pak se 20 vite burg ose dënim të përjetshëm.

Para grupit hetimor, Ademi tha se e ka kryer krimin për shkak të xhelozisë. Ai ka thënë se kishte lidhje me dy motrat, të cilat i vrau me breshëri plumbash. Marrëdhënia jashtëmartesore e Përparim Ademit ka filluar fillimisht me Kristinën shumë vite më parë, ndërsa pas ndarjes Ademi është lidhur me motrën tjetër, Zhanetën.

Përparim Ademi, para gjyqtarit Gend Hoxha, ka pretenduar se ka një fëmijë me njërën prej motrave, por që nuk e ka regjistruar në emrin e tij.

Sipas Ademit, ai kishte krijuar lidhje paralele me Zhanetën, pavarësisht se ishte i martuar. Gjatë javëve të fundit, sipas 51-vjeçarit, ajo ishte distancuar ndjeshëm, ndërsa dyshonte se edhe ajo kishte një lidhje tjetër.

Gruaja e autorit: E dija për lidhjen intime me të dyja, isha bërë shoqe me to

Ndërsa bashkëshortja e Ademit në deklaratën e saj para grupit hetimor është shprehur se ka qenë në dijeni të tradhtisë së bashkëshortit me dy motrat. Sipas saj, për të mbajtur familjen të bashkuar ka heshtur dhe madje ka bërë mikesha dy motrat. Ajo ka shtuar se ka pasur hyrje dhe dalje familjare me ta, madje edhe kanë udhëtuar së bashku.

Kristina Bardhi, Përparim Ademi dhe Zhaneta Metani

Ngjarja

Përparim Ademi, më 31 dhjetor para se të ngjitej në apartament, ka marrë njërin nga fëmijët që po luante poshtë pallatit duke e përdorur si për të hyrë brenda. Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë.

Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani. Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Përparim Ademi është nga Tirana dhe ka jetuar për një periudhë kohe në Maqedoni. Ai njihet edhe si Përparim Tela, pasi vite më parë ka ndërruar mbiemrin për arsye që nuk dihen. Po ashtu nga Tirana ishin edhe dy motrat. Autori ka pasur probleme me ligjin në Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë