Dosje

Gruaja e vrasësit të dy motrave: Më kanë kërcënuar vajzën. Akuza për trafikim të fëmijëve, jo e vërtetë

Gruaja e Përparim Ademit, i cili vrau më 31 dhjetor dy  motrat në zonën e Astirit ka bërë kallëzim penal në polici pasi sipas saj po i kërcënohen fëmijët dhe kërkon mbrojtje nga shteti. Ajo hedh akuza në drejtim të familjes së viktimave.

“Unë kam kërcënime në shtëpi. Tre veta i kanë ardhur gocës. Kam bërë kallëzim penal në polici. Burri e bëri le ta pësojë atje ku është. Kemi kërkuar mbrojtje nga shtetit. I kanë ardhur fëmijës, i kanë shkuar te dera dhe e kanë bërë fëmijën copë nga këmbët. Unë kam lajmëruar edhe policinë dhe kam bërë kallëzim penal. Kam kërkuar mbrojtje nga policia dhe i kam thënë du të mos rri më në Shqipëri, të zhdukem ose të vijnë të më vrasin të gjithë”, shprehet ajo.

Ndër të tjera, Vjollca Telo thotë se akuzat për trafikim fëmijësh nuk janë të vërteta.

“Nuk janë të vërteta akuzat për trafikim fëmijësh. Asnjë fëmijë nuk është trafikuar. Ato tani duan pasurinë, duan këtë shtëpinë. Në asnjë mënyrë. Unë kam pasur hyrje-dalje me ta, familjare. E dija lidhjen e burrit me ta e kam pranuar për të mos prishur familjen time”, tha ajo.

Ndërkohë, Bashkim Metani, vëllai i Kristina Bardhit dhe Zhaneta Metanit ditën e djeshme ka shokuar me rrëfimin e tij pas vrasjes së dy grave më 31 dhjetor 2020 në zonën e Astirit në kryeqytet.

Në një intervistë televizive, Metani thotë se të dyja motrat kishin lindur me Përparim Ademin, (autorin e vrasjes), 10 fëmijë, dhe këto fëmijë janë shitur në Selanik në Greqi.

“Motra m’i ka treguar të gjitha në muajin dhjetor, nuk i denoncova pasi ma kërkuan motrat, pasi kishin frikë se do i vriste”, është shprehur Bashkim Metani.

Sipas tij, dy gratë janë shfrytëzuar për prostitucion.

“Përparim Ademi (Tela) ka shitur më shumë se 10 fëmijë të motrave të mija. Të dyja motrat e mija kanë pasur shumë detaje të atyre që ai ka bërë, ndaj edhe i ka vrarë. Një person që e do një njeri nuk e nxjerr në rrugë dhe nuk e shfrytëzon. Përparim Tela i ka vrarë nga frika se motrat më kishin treguar mua, dhe do e fusnin brenda”, tha më tej Bashkim Metani, vëllai i viktimave.

Sipas tij, e shoqja e Ademit ka ditur të gjitha veprimet e të shoqit, ndërsa djali i autorit kontrollonte Kristinën dhe Zhanetën.

“Pasi më treguan, më thanë që ki kujdes të keqen motra, pasi ai mund të të vrasë edhe pse je larg. Ai nuk ka qenë vetëm, ka pasur bashkëpunëtor të tjerë, ka pasur lidhje me një avokat që është në Greqi, që mesa di tashmë ka ndërruar jetë”, dëshmoi më tej Bashkim Metani.

Kristina Bardhi, Përparim Ademi dhe Zhaneta Metani

Ngjarja

Përparim Ademi, më 31 dhjetor para se të ngjitej në apartament, ka marrë njërin nga fëmijët që po luante poshtë pallatit duke e përdorur për të hyrë brenda.

Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë. Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani. Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Përparim Ademi është nga Tirana dhe ka jetuar për një periudhë kohe në Maqedoni. Ai njihet edhe si Përparim Tela, pasi vite më parë ka ndërruar mbiemrin për arsye që nuk dihen. Po ashtu nga Tirana ishin edhe dy motrat. Autori ka pasur probleme me ligjin në Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë