Mendim

Vrasjet e shqiptarëve, shteti grek ka dështuar totalisht

Nga Thanasis Kampajannis- Vdekja e një qytetari me origjinë greke gjatë një përleshjeje të armatosur me policinë shqiptare në territorin e vendit fqinj u bë shkak për mediat greke që për herë të parë të vinin në dyshim në këtë nivel shpjegimin e autoriteteve shtetërore për dhunën që ato ushtrojnë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Familja e të ndjerit ka pa dyshim të drejtë të kërkojë një hetim të plotë dhe të hollësishëm mbi kushtet e vdekjes së njeriut të tyre. Por, autoritetet greke duhet të sigurojnë që kjo kërkesë - kur përsëritet nga shteti grek - nuk do të mbajë turpin e hipokrizisë.

Rastet e vdekjes së qytetarëve shqiptarë, në të cilat është përfshirë policia greke duhet të hetohen në përputhje me rrethanat. Por, kjo është një detyrë në të cilën shteti grek ka dështuar totalisht.

Para disa ditësh, më19 nëntor 2018, babai i Pëllumb Marnikollajt, një shtetas shqiptar, i cili ka vdekur në rrethana misterioze, pas një “rënie” nga kati i 2-të i Departamentit të Policisë së lagjes Patisia në Athinë më 3 gusht 2016, kaloi derën e gjykatëses që po heton akuzat e vrasjes së djalit të tij.

Kanë kaluar dy vjet e tre muaj që nga vdekja e Marnikollajt dhe babai i tij, Nikolla, nuk ka ende të drejtën të posedojë një kopje të dosjes, pasi akuza e vrasjes ka mbishkrimin: “ndaj personave të panjohur”.

Versioni i policisë u publikua nëpërmjet rrjedhjes së informacionit në media: i vdekuri, që vullnetarisht kishte ardhur për t’u paraqitur në rajonin e policisë, vrapoi dhe u hodh nga ballkoni pas gjetjes së një urdhërarresti ndaj tij. Megjithatë, ka shumë elementë që sfidojnë këtë version.

Së pari, trupi i të ndjerit 29-vjeçar, ashtu siç e panë të afërmit e tij, ishte plot me shenja të zeza dhe të kuqe. Raporti mjeko-ligjor i Athinës hesht në lidhje me shkaqet e këtyre shenjave të gjetura, përtej vdekjes që është shkaktuar, siç shkruhet, nga thyerje të kafkës si shkak i rënies.

Por, edhe më i rëndë është trajtimi i çështjes nga vetë policia greke: Drejtoria e Policisë nuk bëri të ditur vdekjen e shtetasit shqiptar, edhe pse dëmtimi i tij fatal ka ndodhur në zonën hapësinore të rajonit të policisë - veçse 15 ditë më vonë, pra më 18 gusht 2016, kur mediat shqiptare buçisnin për ngjarjen në fjalë. Dhe për paradoks, regjistrimi i parë i ngjarjes, në librat e policisë është bërë në të njëjtën ditë.

Duke pasur parasysh se familja arriti të marrë trupin e viktimës pak para varrimit të tij, me të drejtë lind dyshimi ashtu siç do të bënte çdo njeri për një fshehje të fakteve të ngjarjes tragjike.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me të drejtë interpreton ligjërisht se “kur një person është i shëndetshëm në paraburgim policor, por më pas gjendet i vdekur, është detyrë e shtetit që të sigurojë një shpjegim të përshtatshëm të ngjarjeve që e çuan atë drejt vdekjes. Në rast të dështimit të ruajtjes së shëndetit të këtij personi, autoritetet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin llogari përballë kësaj gjykate...”

Aty ku ngjarjet e hetuara zhvillohen tërësisht ose në pjesën më të madhe, brenda kufijve ekskluzivë të dijenisë së autoriteteve, si në rastin e personave që janë nën kontrollin e tyre në polici, lindin pyetje tepër të forta në lidhje me faktet e vërteta, lëndimet dhe vdekjet që ndodhin gjatë ndalimit. Në të vërtetë, barra e provës duhet të konsiderohet si përgjegjësi e autoriteteve për të ofruar një shpjegim të kënaqshëm dhe të bindshëm.

Por, shpjegime të tilla të kënaqshme dhe bindëse nuk ka pasur as në rastin Marnikollaj dhe as në dhjetëra raste të tjera të vdekjeve të shtetasve të huaj ku është përfshirë policia greke në dekadat e fundit, ku askush nuk ka dhënë llogari.

Le të mos ketë asnjë dyshim. Imuniteti penal i oficerëve të policisë në rastet kur tejkalojnë kryerjen e detyrave të tyre nuk është i kufizuar tek “të tjerët’: fillon tek “të huajt’, por ka karakteristikë të zgjerohet në nivel lokal, ashtu si dhuna fashiste fillon nga të huajt, por shumë shpejt vendos në shënjestër “Armikun e brendshëm”.

Kjo është arsyeja pse vendosja e drejtësisë në Greqi, Shqipëri dhe gjithandej, veçanërisht në rastet ku përfshihen qytetarë të huaj nga njëra anë dhe zyrtarë qeveritarë apo nëpunës shteti nga ana tjetër, është e nevojshme që të përballojë helmin e nacionalistëve dhe racistëve që mezi presin rastin.

Autori është avokati i Pëllumb Marnikollajt. Shkrimi u botua në Gazetën e Redaktorëve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë