Rend dhe Ligj

Vrasja në Gjirokastër, dëshmia e autorit: Më shau, tha se kam bërë më shumë lekë se ai

Zbardhet dëshmia e 33-vjeçarit Mihal Thimjo që vrau me sende të forta ortakun e tij, Gëzim Saraçi 57 vjeç, teksa udhëtonin në kamionçinën e këtij të fundit në fshatin Zagori të Gjirokastrës.

Përpara policisë, Thimjo ka deklaruar që Saraçi e ka sharë dhe ofenduar, madje e ka goditur i pari.

“Më shau, më ofendoi, më tha keni bërë me shumë lekë se ne. Ti ke vilë trekatëshe, unë nuk kam. I thashë mos më sha, nuk dëgjoi dhe më qëlloi”, është shprehur ai në polici.

Ngjarja

Një konflikt i çastit ka degjeneruar në përdorim të sendeve të forta dhe i ka marrë jetën një 57-vjeçari në fshatin Zagori të Gjirokastrës. Mihal Thimjo 33 vjeç dhe Gëzim Saraçi 57 vjeç kanë qenë duke udhëtuar me një kamionçinë në aksin rrugor rural Polican-Suhë dhe në ecje e sipër janë konfliktuar për motive të dobëta.

Ata janë përleshur me njëri-tjetrin dhe 33-vjeçari ka goditur me levë Gëzim Saraçin, duke e lënë të vdekur. Pas vrasjes autori Mihal Thimjo ka telefonuar familjarët e tij dhe iu ka thënë se e kishin qëlluar. Kanë qenë familjarët e autorit ata që kanë shkuar të parët në vendngjarje dhe kanë gjetur trupin e pajetë të Saraçit, por asnjë gjurmë të të afërmit të tyre.

Autori, i cili ishte edhe vetë i plagosur u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap nga policia pas 6 orë kërkimesh pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë