Lajme

Vrasja në Astir për pazare droge, policia shpall në kërkim Noel Dishin

Pas vrasjes së të riut në zonën e Astirit mbrëmjen e 20 janarit, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.

Bëhet fjalë për Noel Dishin, 29 vjeç me origjinë nga Dibra dhe banues në Sukth.

Policia thotë se gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjeçari Dishi dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.

28-vjeçari Vilson Tafçiu mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e 20 janarit.

Viktima ishte me dy persona të tjerë në një lokal në zonën e “Astirit”, kur është thirrur në emër për të dalë jashtë dhe është qëlluar për vdekje.

Tafçiu që mbeti viktimë e këtij atentati mësohet se ishte arrestuar për trafik droge në mars të vitit 2018 në Francë dhe kishte qëndruar në paraburgim për 8 muaj. Pastaj ishte deportuar drejt vendit tonë në nëntor të vitit të kaluar. Përveç Francës ai ka jetuar edhe në Belgjikë.

Policia thotë se shkak i vrasjes së Vilson Tafçiut ka qenë një konflikt i çastit. Ndërkohë dyshohet se mes autorit dhe viktimës mund të ketë pasur konflikte edhe për pazare droge.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë