Lajme

Vrasja në Astir, lihet në burg 29-vjeçari Noel Dishi

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Noel Dishi, i cili akuzohet se vrau shokun e tij, Vilson Tafçiun.

Gjykata vendosi të njëjtën masë që kërkoi edhe prokuroria, ku i riu akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”.

Noel Dishi në sallën e gjyqit ka pranuar krimin e kryer dhe ka shpjeguar dhe arsyen që e çuan të vrasë shokun e tij.

“Debatuam dhe Vilsoni më tha se ‘do ta bëj me keq se sa ta kanë bërë. Do të mbaj në bagazh të makinës dhe do ta thyej kokën’. Më pas, edhe më shau nga nëna. Tentova të largohesha, por ai vijonte me të njëjtën mënyrë. Atëherë e kam qëlluar. U trondita kur kuptova se çfarë bëra. Pasi e qëllova, u largova. Por asnjëherë nuk kam dashur që ta vras”, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari para gjykatës.

Ndërkohë, avokatët kanë kërkuar që familja e të pandehurit të merret në mbrojtje, pasi kanë frikë nga ndonjë hakmarrje e mundshme nga të afërmit e viktimës.

Vilson Tafçiu u vra mbrëmjen e 20 janarit në një lokal të frekuentuar të zonës së “Astirit” në kryeqytet.

Ai u nxor jashtë lokalit nga shoku i tij dhe u ekzekutua me armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë