Drejtësia

Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier/ Një nga autorët e dyshuar mohon akuzat, por gjykata e lë në burg

Gazeta Si - Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin, Elmir Tufa, i dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në shkurt të vitit 2021.

Një nga 4 të dyshuarit e vrasjes së Kastratit, 31-vjeç, është paraqitur në gjykatë mëngjesin e kësaj të diele nën masa të rrepta sigurie dhe është vendosur verifikimi i masës së sigurimit.

Pasi kanë dëgjuar palët, si atë akuzuese, ashtu dhe atë mbrojtëse, trupi gjykues vendosi vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Elmir Tufën.

Gjatë seancës personi nën hetim dhe avokati i tij pretenduan se ditën e ngjarjes kanë qenë në Gjykatën e Krujës në një gjykim zëvendësim mase sigurimi të një kushëriri të tij dhe pretendonin se kishin pamje filmike për këtë fakt, duke mohuar edhe një herë mospërfshirjen në vrasjen e biznesmenit 42-vjeçar.

Tufa u arrestua pas një operacioni të policisë në 2 nëntor të këtij viti në Fushë-Krujë, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, si një nga autorët e dyshuar të ekzekutimit të Kastratit.

I riu ishte në kërkim prej më shumë se 2 vitesh, pasi Gjykata e Fierit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pasi akuzohet se është bashkëpunëtor i ekzekutimit brenda makinës të biznesmenit 42-vjeçar.

Për këtë vrasje, 2 vite më parë u dyshuan Albert Zaja 37 vjeç, Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç. Prej tyre është arrestuar dhe dënuar me 21 vite burg vetëm Albert Zaja.

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me 2 plumba në shkurt të vitit 2021, në lagjen Sheq në Fier brenda makinës së tij. Ai ka qenë në lëvizje me makinë, është qëlluar nga një person nga një makinë tip “Range Rover”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë