Ka ndodhur

Vrasja e Kastratit në Fier, burg për autorin e dyshuar: Dua siguri për jetën

Gjykata e Fierit, ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg" për Albert Zajën, i cili dyshohet të jetë personi që vrau Shkëlzen Kastratin më 1 shkurt në Fier.

Sipas burimeve, mësohet se Zaja ka pranuar përfshirjen në krim, por jo autorësinë e atentatit.

Ai ka deklaruar se ditën që ndodhi vrasja, ishte në Vlorë me makinën e një shoku.

Po ashtu, Zaja ka kërkuar që të qëndrojë në burg për arsye sigurie, por jo në atë të Fierit.

Ai ka deklaruar se ka frikë nga hasmëritë dhe ka kërkuar që të dërgohet në burgun e Vlorës, por përfundimisht është vendosur që të qëndrojë në burgun e Fierit.

Zaja është i pari i dyshuar që është arrestuar nga policia në lidhje me ekzekutimin e 40-vjeçarit, ndërkohë që tre të tjerë që dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë, janë ende në kërkim.

Ditën e sotme, 37-vjeçari është shoqëruar nga dhjetëra forca policie që kanë blinduar Gjykatën e Fierit, ku kanë marrë pjesë edhe anëtarë të RENEA-s.

Arrestimi i tij u bë pasditen e 21 marsit në zonën e Niklës në Fushë Krujë, ndërsa në momentin e aksionit të policisë, Zaja kishte bërë edhe rezistencë.

Kur ka parë policinë që e ka rrethuar, ai ka tentuar të largohet. Sipas policisë, në momentin e ndalimit, atij i është gjetur mes baltës një armë tip pistoletë, të cilën ka tentuar ta fshehë.

Albert Zaja është personi që dyshohet se ka qëlluar me dy plumba paraditen e së hënës së 1 shkurtit në Sheq të Fierit, Shkëlzen Kastratin brenda makinës së tij .

Ndërkohë për vrasjen e Kastratit, janë ende në kërkim shtetasit Elmir Tufa, 29 vjeç; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë