Ka ndodhur

Vrasje me armë zjarri në Fier, viktima brenda një makine “Benz”

Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri këtë të hënë në Fier.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrethrrotullimin e fshatit Sheq.

Policia e Fierit në njoftimin e saj zyrtar thotë se viktima Shkëlzen Kastrati ndodhej në automjetin e tij tip “Benz”, kur u qëllua për vdekje.

“Sot rreth orës 10:30, në vendin e quajtur ‘Ura e Sheqit’, një shtetas i paidentifikuar, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K., i cili ka qenë në automjetin tip ‘Benz’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndër të tjera, policia thotë se autori i paindentifikuar ende është larguar me automjetin e tij, i cili është gjetur i djegur.

“Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip ‘Range Rover’, i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur ‘Mbikalimi i Baltzës’”, vijon më tej policia.

Trupi i personit në fjalë mësohet se është ende në makinë, ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes.

Dyshohet se autori ka qëlluar nga një distancë e afërt, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin ‘Range Rover’.

Ndërkohë që automjeti tip ‘Benz’ ku ishte viktima, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një tjetër makinë.

Shkëlzen Kastrati është baba i katër fëmijëve, ndërsa në pronësi kishte një lokal-bilardo në Fier.

Kastrati është goditur nga një distancë e afërt, ndërsa dyshohet se autorët kanë përdorur një armë tip ‘Scorpion’ me silenciator.

Ndërkohë që viktimën e kanë kapur dy plumba nga ana e pasagjerit, një në krah dhe tjetri në ballë.

Ndërkohë, vëllait të Shkelzen Kastratit, Kelment Kastrati, iu bë një atentat në janar të vitit 2016 në vendin e njohur si Mulliri i Artë.

Në këtë atentat mbeti i vrarë Granit Kasa, ndërsa për ngjarjen u akuzua Ermal Binjaku.

Mësohet se konfliktet mes fiseve kanë nisur në vitin 1994, kur është vrarë kushëriri i parë, Klement Kastrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë