Ka ndodhur

Vrasja e Gentian Bejtjas, arrestohen dy persona që dyshohet se morën pjesë në atentat. Zbardhet dinamika e krimit (foto)

Gazeta Si - Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Gentian Bejttjes, ngjarje e ndodhur të premten e shkuar në banesën e këtij të fundit në fshatin Larushk të Fushë Krujës.

Në një njoftim për mediat, në pranga kanë rënë Edison Haxhiu, 30 vjeç dhe Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, 41 vjeç, ky i fundit me identitet të trefishtë.

Ilir Beqaraj dyshohet se është një nga autorët që ka marrë pjesë në momentin e ekzekutimit, ndërsa Edison Haxhiu, akuzohet se u ka vënë në përdorim autorëve mjetin tip ‘Golf’ me të cilin janë larguar nga Fushë Kruja.

Ilir Beqaraj (majtas) dhe Edison Haxhiu

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushk-Thumanë.

Sipas policisë, e cila ka zbardhur dinamikën e krimit, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, autorët janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan dhe kanë djegur automjetin e mësipërm.

Më pas, policia sqaron se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë dhe kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari lindur në Milot dhe banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin "VALTER" me tetë fishekë, një armë zjarri e markës "BENELLI", e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë armë zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin "MIDLAND XT70", një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të një shtetasi kosovar, e dyshuar e falsifikuar, pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e Ilir Beqarajt, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të një shtetasi kosovar, e dyshuar e falsifikuar, pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e Beqarajt, dy aparate celular të markës "IPHONE" dhe një aparat celular i markës "SAMSUNG".

Të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguruara elemente provash me perspektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Ndonëse Haxhiu është një nga autorët e dyshuar, policia nuk e ka akuzuar atë për vrasje, por vetëm për 2 vepra penale, atë të “Mbajtes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Akuza më e rëndë është për bashkëpunëtorin Beqarajn, i cili akuzohet për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Hetimet vijojnë, pasi dyshohet se ka qenë më shumë se 1 autor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë