Ne rrjet

Ervis Martinaj, ose “Mbreti” i basteve në Shqipëri

Nga Flamur Vezaj*

Të gjithë lexuesit e lajmeve në media print, web-faqet e gazetave më të shitura, portaleve më të klikuara apo edhe web-faqeve të televizioneve kombëtare e kanë parë këtë reklamë, “bet111”! Sapo të hapësh online një media (thuajse të gjitha) në Shqipëri të del kjo logo “bet111”!

Kjo kompani figuron e regjistruar në QKR në emër të një gruaje rreth të 60-ave, shtetases Vasilika Martinaj, e cila besoj se nuk ia ka idenë basteve sportive! Ajo është nëna e Ervis Martinajt, i dënuar për akuzën e “organizimit të lotarive të palejuara”!  Por, jo vetëm kaq, ai ka qenë i dyshuar edhe për disa vepra të tjera të rënda, si vrasje, etj! Ky personazh i njohur i botës së krimit, prej vitesh drejton këtë biznes, ku me ndihmën e një agjencie reklamash ua ka mbyllur gojën të gjithë këtyre mediave që i paguan reklamë çdo muaj!

Në fakt, disa prej këtyre mediave supozohet se nuk e dinë këtë lidhje, thjesht kanë pranuar një pagesë mujore nga kjo agjenci për një biznes të lojërave të fatit, por që qëllimi kryesor i kësaj reklame është që këto media të mos shkruajnë asnjë rresht për “shefin” e kompanisë Ervis Martinaj!

Kështu që mos u çudisni që ky Martinaj e kolegët e tij “biznesmenë” kanë lobuar për të kaluar “ligjin që duan” pas spektaklit propagandistik të rilindjes me operacionin gjobëvënës “Marrëzia e Fundit”!

#Suksese_krimit_të_organizuar#

P. S. Ky është realiteti i disa mediave në Shqipëri!

Vrasësit të gjejnë më parë se Policia!

Viktima Fabiol Gaxha, që mbeti i vrarë mbrëmjen e kaluar në zonën e ish-Bllokut, ishte në kërkim nga policia për një vrasje të mbetur në tentativë këtu e rreth tre muaj më parë! Burimet më thonë se Gaxha edhe pse ishte në kërkim lëvizte lirshëm edhe i armatosur nëpër Shqipëri, duke i ruajt shpinën së bashku me Eljon Hatën, shokut tashmë të plagosur në qafë Ervis Martinaj! Kështu që shprehja se “në Shqipëri vrasësit të gjejnë më shpejt se policia” nuk është më një shprehje që me propozimet e reja të KM mund të hash ndonjë gjobë për shpifje!

Por, pavarësisht se ishte në kërkim, F. Gaxha bashkë me shokët e tij frekuentonte lokalin e preferuar të thuajse të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke mos përjashtuar edhe ministrat e qeverisë, se për drejtorët e institucioneve po se po! Dhe po në këtë lokal, ku mbeti i vrarë F. Gaxha dhe u plagosën E. Martinaj e E. Hato çuditërisht kamera nuk kishte, pasi me kërkesë të politikanëve, më thonë, pronari i lokalit (me të kaluar kriminale edhe ky) i kishte hequr që mos të filmonte takimet e klientëve me imunitet! Mungesa e kamerave dhe hyrja e të gjithë efektivëve të policisë pa kriter e kontroll brenda lokalit duke prishur edhe provat e mundshme, kanë vështirësuar zbardhjen e identitetit të personave që qëlluan mbi “bandën” e Ervis Martinajt! Shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur në “dhomën” VIP të lokalit pranë parfumerisë, ku të dëmtuar janë vetëm krahu i Martinajt!

Kjo ngjarje tregoi edhe njëherë se ku është degdis Policia e Shtetit nga frika për të hetuar e arrestuar kriminelët e mbrojtur nga politika e që lëvizin lirshëm të armatosur në Shqipëri, duke pirë kafe në tavolinë ose ngjitur me zyrtarët e lartë të shtetit!

E sa për pistat, ehu është lista e gjatë, si larje hesapesh, borxhe të pakthyera (fajdeve), gjobëvënie, përplasjet e fundit, ligji i lojërave të fatit, konkurrenca.... etj etj, se biznesmeni i lojërave të fatit dhe jo vetëm ka shumë kusure, çka e vështirëson përsëri punën e prokurorisë dhe policisë, që çuditërisht nuk kanë shumë informacione! Veç shumë pistave tashmë janë ngrit edhe shumë pyetje, si p.sh: Kush po e priste në lokal Martinajn me shok? Çfarë u diskutua para se të plasë arma?  Sa armë u përdorën? Pse nuk u filmua nga kamerat ngjarja? Pse punonjësit e lokalit dhe pronari kanë mbyllur gojën? Pse të plagosurit nuk tregojnë emrat?

V. O. Për Ervis Martinaj ç’të them më, kam thëënëë shumëë biles e ju e kuptoni vetë nga fotoja!

Komentet e gazetarit të kronikës, Flamur Vezaj, janë marrë nga faqja e tij në “Facebook”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë