Gazeta Si - Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Durrësit për masat e "arrestit me burg" për tre fëmijët e Pëllumb Metës, Hygerta, Hysen dhe Amarildo Meta.
Vetëm dy djemtë kishin kërkuar ndryshimin e masës, ndërkohë që vajza Hygerta Meta ka marrë përsipër krimin duke thënë se ajo e ka vrarë babanë.
Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen dhe fshehjen e trupit të babait të tyre dhe më pas groposjen e tij.
LEXO EDHE:
- Djali i madh ndryshon qëndrim: Nuk e bëra unë, por motra. Hygerta merr përsipër krimin: Jam penduar
- Vrasja e Pëllumb Metës / Gruaja dhe fëmijët testohen në poligon. Hygerta dinte të qëllonte, Hyseni refuzoi
Në 11 mars, 19-vjeçarja Hygerta Meta u testua nga prokurorë të çështjes për të kryer qitje me pistoletë në një poligon, si pjesë e një eksperimenti hetimor për të verifikuar se cili nga fëmijët e vrau Pëllumb Metën.
Grupi hetimor provoi kështu nëse vajza që akuzohet se vrau të atin, dinte të qëllonte me armë.
Sipas burimevem ajo kreu disa qitje radhazi, duke vërtetuar se dinte ta përdorte armën.
Ky eksperiment iu kërkua edhe pjesës tjetër të familjes së Pëllumb Metës, 2 djemve të arrestuar dhe bashkëshortes së tij, por ata refuzuan të qëllojnë duke u thënë hetuesve se nuk dinë të përdorin armë dhe se nuk kanë provuar të bëjnë qitje ndonjëherë.
Refuzimi i ka thelluar dyshimet tek grupi hetimor se vrasjen e 50-vjeçarit mund ta ketë kryer njëri nga djemtë dhe se autorësia po kërkohet t’i lihet vajzës, me shpresën se ajo mund të dënohet më pak.
Dyshimet përforcohen nga ekspertiza e kryer me armën e krimit ku u gjetën gjurmë gishtërinjsh të djalit të vogël të familjes, Amarildos, në qesen që ishte mbështjellë ajo. Në armën e krimit rezulton se gjurmët ishin fshirë.
Prokuroria e Durrësit akuzon si autor të vrasjes djalin e madh të familjes, ndërsa Hygertën e Amarildon si bashkëpunëtorë të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.