Gazeta Si- Prokuroria e Durrësit ka kryer eksperiment hetimor lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit.
Ashtu siç ishte planifikuar, të tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta, si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, janë dërguar në një poligon për t'u testuar nëse dinë të përdorin armë.
Ka rezultuar se Hygerta Meta ka qenë në gjendje të mbushë armën dhe të kryeje qitje, ndërsa Hysen Meta, që grupi hetimor beson se është ekzekutori, ka refuzuar të qëllojë, duke thënë se nuk di të mbajë armë.
Eksperimentin e kanë bërë dhe bashkëshortja Blerina Meta dhe djali i vogël, Amarildo Meta, të cilët kanë thënë se nuk kanë mbajtur kurrë më parë armë në dorë.
Por me daljen e rezultateve të analizave nga laboratori i kriminalistikës, në armën e vrasjes janë gjetur gjurmë edhe të djalit të vogël, Amarildo Meta, i cili për momentin akuzohet nga policia për fshehje të kufomës.
Laboratori i kriminalistikës ka dalë në konkluzionin se Amarildo Meta ka gjurmë gishtash në pistoletën me të cilën u vra babai i tij. Kjo do të thotë që Amarildo e ka prekur armën, por nuk është e qartë nëse ka bërë shkrepje ose jo.
Për grupin hetimor të Durrësit, autor kryesor i vrasjes vazhdon të mbetet djali i madh Hysen Meta.
Dy të dyshuarit kryesorëm Hygerta dhe Hysen Meta, i qëndrojnë deklarimeve të dhëna në seancën e masss së sigurisë, ku pretendojnë se vrasjen e ka bërë Hygerta.
Vajza ndërkohë është rikthyer në vendngjarje, ku është rindërtuar skema e vrasjes dhe ajo ka treguar pozicionin ku ishte shtrirë i ati, ku dhe si e ka qëlluar, trajektoret, zhvendosjen e trupit dhe varrosjen.
Te dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të përpiluara nga ekspertët gjatë këqyrjes së vendit të krimit.
Hyseni nga na tjetër, nuk ka rindërtuar asnjë skemë, pasi i qëndron versionit se kur ndodhi vrasja nuk ishte në shtëpi.
Ky eksperiment hetimor është ndërmarrë për të përcaktuar se cili prej tyre qëlloi me 4 plumba në drejtim të Pëllumb Metës për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
Policia po verifikon gjithashtu edhe rolin e bashkëshortes së viktimës, e cila është me detyrim paraqitje dhe po hetohet në gjendje të lirë, kurse 3 fëmijët; Hyseni, Hygerta dhe Amarildo Meta janë nën masë sigurie arrest në burg për vrasjen e babait.
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën.
Ky i fundit akuzohet vetëm për fshehje të kufomës. Ndërsa 25-vjeçari dhe 19-vjeçarja akuzohen edhe për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.