Drejtësia

Djali i madh ndryshon qëndrim: Nuk e bëra unë, por motra. Hygerta merr përsipër krimin: Jam penduar

Gazeta Si - Tre fëmijët e Pëllumb Metës, i ekzekutuar para dy ditësh në banesën e tij në Shënavlash të Durrësit, kanë ndryshuar dëshminë në gjykatë, e cila ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për të tre.

Ata akuzohen se kanë vrarë të atin Pëllumb Meta më 10 shkurt në Shënavlash dhe e varrosën në kasollen e bagëtive, ndërsa më pas e shpallën të zhdukur.

Hysen Meta, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes në marrëdhënie familjare, fshehje dhe asgjesim kufome, si dhe armëmbajtje pa leje, u vendos masa e sigurisë "arrest me burg".

Edhe për vajzën e viktimës, Hygerta Meta, e dyshuar fillimisht në momentin e arrestimit për vrasje, është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg", por vetëm për veprën penale të asgjesimit e fshehjes së kufomës. E njëjta masë u dha edhe për djalin e vogël të familjes Meta, Amarildon.

Por gjatë seancës, fëmijët e Pëllumb Metës, kanë dhënë dëshmi të tjera kontradiktore nga ato që kanë dhënë gjatë hetimeve.

Djali i madh, Hysen Meta, i cili sipas policisë dyshohet të jetë ai autori i ekzekutimit, ka mohuar vrasjen e të atit dhe shprehet se motra e tij e vogël e ka kryer këtë krim.

“Nuk ka shkak fare se nuk e kam bërë. Të flasë ai që e ka bërë. Kam parë që motra e vogël ka qëlluar babain. Motra ka pas konflikte. Një nga arsyet është se donte ta fejonte me zor dhe kishin debatuar shumë herë”.

Hygerta Meta, gjithashtu e pranishme në gjykatë, pranon se e ka qëlluar ajo me armë babain duke shpjeguar edhe dinamikën.

Sipas saj, i ati e kishte kërcënuar me vrasje. 19-vjeçarja thotë se është penguar, por siç shprehet vetë ajo, “tashmë është shumë vonë”.

“Duke qenë se ishte shumë e vështirë, frika dhe nga policia, ia lashë fajin e vrasjes vëllait. Konflikti ka nisur që në dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi i fejesës se do më vriste. Ai preu bombulën e gazit dhe nuk e rregulloi, por më vonë. Në fund të janarit më tha sërish për fejesën. Më tha që ju nuk keni për të bërë hajër në këtë shtëpi, kishim frikë. Ka pasur konflikte dhe me mamin, e ka goditur mamin edhe kur ka qenë në gjumë për shkak se ishte zgjuar vonë. Babi ka qenë gjithmonë agresiv. Nuk e kam denoncuar nga frika, sepse kishim frikë se na vriste. Shumë herë na ka thënë do ju vras. Ai mund të paguante edhe dikë për të na vrarë”, - ka thënë vajza 19-vjeçare.

Pyetjes së gjyqtares se si i lindi mendimi për ta vrarë babin, studentja e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, iu përgjigj: "Disa herë më ka thënë mamaja, ka thënë babi do ju vrasë e një herë e kam dëgjuar vetë. Unë e dija që kishte armë dhe dija momentin kur vinte nga puna. Erdhi babi nga puna, ra duke pushuar, ishte me kurriz dhe mora armën, ia tregova babit. Nuk më tha gjë dhe më tha ku shkon me atë armë. Kur më tha ku shkon me të, i thashë çohu në këmbë, ai më ik andej. Unë e qëllova pas kësaj. Isha 2 metra larg. Jam penduar pasi e bëra. Por nuk ka kthim pas”, - shtoi Hygerta Meta.

Ndërsa, djali i vogël i Pëllumb Metës, Amarildo, tha se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes, pasi ka qenë në punë.

“S’kam qenë në dijeni të ngjarjes. Kam qenë në punë. E dija që kishte konflikte me mamin e motrën, po unë nuk i kam parë vetë. Më ka thënë motra që donte ta fejonte me zor. Jo babi”.

Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe fshehje e asgjësim i kufomës, kryer në bashkëpunim, janë akuzat që rëndojnë ndaj Hygerta, Hysen dhe Amarildo Metës.

Prokurorja i vlerësoi të përgjegjshëm të tre, po përtej fjalëve të ftohta për pendesë e keqardhje, ata u shfaqën të qetë gjatë seancës.

Krimi i rëndë u zbulua më 23 shkurt, kur policia gjeti trupin e 49-vjeçarit të groposur në kasollen e bagëtive, në oborrin e shtëpisë. Ai ishte shpallur i zhdukur prej 13 shkurtit, pas denoncimit të djalit të madh se kishte humbur kontaktet me babanë.

Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Ndërkohë, Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e Pëllumb Metës, edhe pse ndaj saj nuk është ngritur asnjë akuzë.

Blerina Meta nuk është lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, pasi policia i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre. Ndërsa 49-vjeçarja po hetohet në gjendje të lirë për ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë