Policia maqedonase ka marr në mbrojtje të gjithë deputetët që votuan pro marrëveshjes me Greqinë, mes raporteve se kanë marrë kërcënime me jetë pas seancës parlamentare të së premtes.
Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha të hënën se 80 deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit, po marrin 24 orë mbrojtje policore. Spasovski tha se deputetët kanë nevojë për mbrojtje pasi janë duke marrë mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale që i akuzojnë ata për tradhti dhe për marrje ryshfeti.
"Ne nuk do të lejojmë një sjellje të tillë dhe kushdo që ngjall frikë midis qytetarëve apo ligjvënësve do të dënohet", tha Spasovski në një konferencë shtypi. Mes deputetëve që votuan pro ndryshimeve kushtetuese ishin edhe tetë ligjvënës nga blloku partisë kryesore të opozitës VMRO DPMNE.
Ministria e Brendshme maqedonase tha se do të ngrejë padi kundër një 38-vjeçari nga zona e Shkupit, pasi kishte kërcënuar deputetët në Facebook. Spasovski tha se policia ka identifikuar po ashtu një "grup aktivistësh” që bëri fushatë për bojkotimin e referendumit të 30 shtatorit, i cili ka kërcënuar me jetë deputetët dhe familjet e tyre. Ai tha se policia po monitoron nga afër aktivitetet e grupit.
Në fund të mbrëmjes të së premtes, pas një dite tensionesh dhe pasigurie, qeveria e kryeministrit Zoran Zaev kaloi një votim kyç për kalimin e ndryshimeve kushtetuese që do të çonin drejt ndryshimit të emrit të vendit.
Menjëherë pas votimit, tetë deputetë nga blloku i opozitës, të cilët votuan në favor, ranë pre e gjuhës urrejtjes dhe kërcënimeve në rrjetet shoqërore. Faqja e lajmeve pro-opozitare Republika botoi një artikull me titullin "Mbajini mend këto fytyra, këta janë tradhtarë maqedonas" me fotot dhe emrat e deputetëve të opozitës. Po atë mbrëmje, VMRO DPMNE përjashtoi nga partia e shtatë nga deputetët e saj që votuan në favor të marrëveshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.