Ne rrjet

Von der Leyen mer detyrën: Dera për Ballkanin të mbetet e hapur

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka marrë sot dritën jeshile nga Parlamenti Europian për të filluar punën pasi  461 eurodeputet votuan pro, 157 kundër dhe 89 abstenuan.

Duke paraqitur programin e Komisionit të ri Europian përpara Parlamentit Evropian, ajo tha se dera e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të mbetet e hapur.

"Ne duhet t'u tregojmë miqve tanë në Ballkanin Perëndimor që ndajmë të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe ndajmë të njëjtin fat. Dyert tona mbeten të hapura, "tha von der Leyen.

Ajo tha se është e kënaqur që ka ekip diplomat me përvojë si Josep Borrell dhe Olivér Várhelyi, Komisioneri i ri Zgjerimit, të cilët do të promovojnë dhe mbrojnë interesat e BE-së dhe mbështesin partnerët e BE-së në Ballkabn.

"Ne do t'i forcojmë vendet partnere  në rajon tanë përmes bashkëpunimit, sepse partnerët e fortë bëjnë një BE të fortë," thotë von der Leyen.

Përveç Ballkanit Perëndimor, që ishte pika e parë në prezantimin e programit të Komisionit të ri Evropian, von der Leyen u përqëndrua në mbrojtjen e klimës, rolin e BE-së në punët e jashtme, tregtinë dhe ekonominë e BE-së, digjitalizimin dhe inovacionin.

Ajo theksoi se BE do të ketë tanimë Komisionin gjeopolitik që punon për ta mbajtur kontinentin të bashkuar.

"Vendet e Lindjes, Perëndimit, Jugut dhe Veriut kanë nevojë për një partner të vërtetë në BE," tha von der Leyen.

Von der Leyen tha që BE nuk kishte të bënte vetëm me politikën.

"Gjatë pesë viteve të ardhshme, ne do të punojmë për të transformuar çdo pjesë të shoqërisë dhe ekonomisë sonë," tha presidentja e KE-së.

Ursula von der Leyen u tha eurodeputetëve se Komisioni Europian kishte krijuar një ekip të shkëlqyetr dhe se do t'i kërkonte Parlamentit ndihmë për një "fillim të ri në Europë".

"Ne jemi gati, më e rëndësishmja Evropa është e gati. Le të fillojmë të punojmë, "përfundoi von der Layen.

Pas fjalimit dhe debatit të von der Leyen, eurodeputetët votuan për t'i dhënë mandatin tërë Komisionit Europian, duke përfshirë Presidentin Ursula von der Leyen, Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell dhe 25 Komisioner të caktuar.

Pasi mori"dritën e gjelbër" të Parlamentit Europian, Komisioni i ri Europian do të fillojë punën në 1 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë