Politike

Voltana Ademi kërkesë gjykatës: Mos regjistro Pjerin Ndreun si kryetar shoqate

Voltana Ademi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për të mos regjistruar Pjerin Ndreun si kryetar të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, pasi sipas kryebashkiakes së Shkodrës i gjithë procesi i zgjedhjes së tij është i paligjshëm.

“Sipas vendimeve të marra dhe të bëra edhe publike në media, kjo Asamble e Përgjithshme e paligjshme, e përbërë me persona që nuk janë aktualisht anëtarë të kësaj shoqate, ka vendosur midis të tjerash shkarkimin e znj. Voltana Ademi nga pozicioni i Kryetares së kësaj shoqate dhe zgjedhjen e z. Pjerin Ndreu si kryetar i kësaj shoqate”, thuhet në kërkesë.

Sipas Ademit, Asambleja e shoqatës është mbledhur në kundërshtim me statutin dhe ligjet në fuqi.

“Kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk janë anëtare dhe vendimet që kërkohen të regjistrohen, cenojnë haptazi dhe në mënyrë të paligjshme interesat e Bashkisë Shkodër si anëtare e kësaj shoqate, interesat e ligjshme të kyetares së Bashkisë Shkodër, znj. Ademi si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, si dhe interesat e vetë shoqatës”, vijon deklarata.

Kryebashkiakja e Shkodrës i kërkon gjykatës që të jetë pjesë e procesit të shqyrtimit të ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e fundit të Asamblesë së kësaj shoqate. Ademi thotë se Ndreu nuk është më anëtar i kësaj shoqate.

“Shoqata e Bashkive ka pasur në përbërje të saj midis të tjerave edhe Bashkinë Lezhë dhe disa bashki të tjera sikurse pasqyrohen në aktet që ndodhen pranë kësaj Gjykate, por që këto bashki që pas zgjedhje jo kushtetuese të 30 qershorit 2019, kanë zgjedhur të lënë anëtarësinë në këtë shoqatë dhe të anëtarësohen tek shoqata tjetër "Për Autonominë Vendore". Në të njëjtën, kohë që prej asaj kohe, këto bashki nuk kanë paguar kuotizacionet duke humbur anëtarësinë në këtë shoqatë”, vijon kërkesa.

Asambleja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë u mblodh më 8 qershor, ku në përfundim caktoi Pjerin Ndreun si kryetar të kësaj shoqate. Ademi e kundërshtoi këtë dhe akuzoi se mbledhja ishte thirrur nga socialistët me qëllimin e vetëm tërheqjen e padisë së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, padi e ngritur nga kjo shoqatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë