Lajme

Vodhi xhiron e lokalit, arrestohet i riu në Krujë

Zbardhet në kohë rekord vjedhja në një lokal në Krujë.

Policia ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar, i cili gjatë momentit të arrestimit u kap me dy pistoleta në brez.

Vjedhja ka ndodhur mëngjesin e 19 janarit, në qytetin e Krujës, ku dy persona, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën xhiron ditore prej 20000 lekësh kamerierit të një lokali.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi A. K., 24 vjeç, banues në fshatin Kroj Madh të Njësisë Administrative Cudhi, Krujë.

Po ashtu është shpallur në kërkim bashkautori tjetër i ngjarjes.

Siç njofton policia, gjatë operacionit, në momentin që i është rrethuar banesa për të ushtruar kontroll, shtetasi A. K. ka dalë nga banesa me dy armë zjarri pistoleta në brez, por është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit pistoleta me dy krehra me fishekë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë