Policia ka zbardhur autorësinë e vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit Hiqmet Ramadani, ndodhur në Memaliaj, mbrëmjen e datës 4 janar.
Për këtë vjedhje janë vënë në pranga 3 nga autorët, si dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Në sajë të operacionit “Etalon”, u arrestuan shtetasit: E. A., 23 vjeç, A. R., 22 vjeç dhe F. R., 28 vjeç, banues në Durrës.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 4 janar kanë hyrë në banesën e shtetasit Hiqmet Ramadanit, në Memaliaj, ku kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dhe dy doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Ky grup, me pseudonimin “Etalon”, dyshohet se ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera në qarqe të ndryshme, për të cilat vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.