Futboll

Vllaznia U19 shkon në Champions, Zmijani: Do jetë e vështirë

Mes “malit” të problemeve në futbollin shkodran dhe ngjarjes dramatike të rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë, ka një lajm të mirë. Skuadra U-19 e Vllaznisë është ftuar nga UEFA për të marrë pjesë në kompeticionin madhor të klubeve Champions League. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi shkodran, ku ndër të tjera ka publikuar edhe shkresën zyrtare.

“Institucioni i futbollit europian ka njoftuar klubin me një shkresë ku bën të ditur se tashmë ekipi jonë është pranuar për të qenë pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Siç është bërë e ditur, kampionia e Shqipërisë ka qenë në listën e pritjes së ekipeve pjesëmarrëse dhe gjithçka ka qenë e varur nga ekipet e të rriturve që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve për të rriturit. Por tashmë çdo gjë ka përfunduar pozitivisht", shkruhet ndër të tjera në njoftimin e klubit të Vllaznisë.

Ky pa diskutim që është një lajm i mirë për këtë ekip sepse është edicioni i dytë që ai do të marrë pjesë.

Sakaq trajneri i këtij ekipi, Luan Zmijani në një komunikim me Gazeta Si ka folur për këtë aventurë që tashmë nuk është më për herë të parë. “Është hera e dytë për ne dhe padyshim tashmë kemi më shumë eksperiencë. Ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirë, por kjo gjë do të varet shumë nga kundërshtari që do të kemi përballë, pasi kundër një skuadre të fortë, dëshira dhe mundësitë tona, janë dy gjëra të ndryshme”, tha Zmijani.

Për teknikun shkodran ky vit do të ketë dhe një tjetër vështirësi të shtuar, për shkak të rregullave të vendosura nga Uefa. Zmijani tregon se Uefa lejon vetëm tre futbollistë mbi 19 vjeç, ndërkohë në ekipin e tij bazë, ai ka pesë dhe ky është një problem. “Ne do mundohemi t’i zëvendësojmë, por ata janë lojtarë shumë të mirë. Për më tepër kanë gjithë sezonin që luajnë bashkë, duke filluar që nga kampionati dhe kupa.”, thekson më tej trajneri shkodran.

Më tej Luan Zmijani ka treguar se disa nga futbollistët që ai trajnon dhe që do të luajnë në Ligën e Kampionëve për moshën 19-vjeçare ka shumë element që mund të jenë të vlefshëm edhe për ekipin e parë. Tekniku 42-vjeçar thotë se ka biseduar me trajnerin Hasan Lika dhe i ka treguar për lojtarët që mund t’i bëjnë punë në sezonin e ri.

Vllaznia u-19 është në pritje të hedhjes së shortit për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin e parë. Shorti do të hidhet më 4 shtator në Nion të Zvicrës në të do të jenë prezent edhe përfaqësues të klubit shkodran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë