Vllaznia e madhe ra në Kategorinë e Parë, por ajo e të rinjve vazhdon të nderojë futbollin shkodran. Vllaznia U-19 është skuadra kampione në fuqi e vendit dhe për herë të dytë radhazi merr pjesë në fazën e “play-off”-it të “UEFA Youth League”, ndryshe Champions League i të rinjve. Këtë herë shorti e vuri ekipin e drejtuar nga trajnerit Luan Zmijani përballë kazakëve të Astanës dhe ndeshja e parë sapo ka përfunduar. Shkodranët janë mundur me rezultatin 3-1 në transfertën e largët të Kazakistanit dhe kualifikimi është shumë i vështirë, por ai gol i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes nga Qardaku mban gjallë shpresat e Vllaznisë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe për shokdranët. Lekaj shkaktoi penallti që në minutën e 2-të dhe u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa Astana kaloi në avantazh. Kazakët shënuan sërish brenda 10-minutëshit të parë dhe lojtarët e Vllaznisë u goditën rëndë psikologjikisht nga disavantazhi i dyfishtë. Trajneri Zmijani e nisi pjesën e dytë me një ndërrim, duke aktivizuar Asllanin në vend të Kullës, por ata që shënuan ishin sërish vendësit, duke e çuar rezultatin në 3-0 që në minutën e 55-të. U duk se skuadra kuqeblu do ta mbyllte këtë ndeshje me një humbje të thellë, por ajo rezistoi dhe në fund shënoi një gol me anë të Qardakut. Një gol i shënuar në fushë kundërshtare ka vlerë dhe në ndeshjen e kthimit në Shkodër Vllaznia duhet të fitojë 2-0 për t’u kualifikuar. Një mision i vështirë, por jo i pamundur. Para se Qardaku të shënonte, Lekaj mori kartonin e dytë të verdhë dhe e la skuadrën me 10 vetë në minutat e fundit.
Trajneri Luan Zmijani e nisi ndeshjen në Kazakistan me këtë formacion: Qarri, Rahova, Lekaj, Repaj, Smajli, Kulla, Lisaj, Hoxha, Qardaku, Palushani dhe Ndreca. Në pjesën e dytë ai aktivizoi edhe Asllanin, Shimën dhe Mehjan. Vllaznia nuk do të ketë në ndeshjen e kthimit Lekaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq.

Përsëritet historia e sezonit të kaluar, kur Vllaznia U-19 mundej në ndeshjen e parë me të njëjtin rezultat, 3-1, nga Zimbru e Moldavisë. Dhe ndeshja kishte të njëjtën rrjedhë: shkodranët pësonin 3 gola dhe në fund shënonin golin e nderit me anë të Pusit nga pika e bardhë. Sezonin e fundit kampionët e të rinjve në futbollin shqiptar nuk arritën ta bënin përmbysjen e madhe, pasi u mundën edhe në Shkodër 2-4. Ndoshta këtë herë fati do të jetë me ta. Ndeshja e kthimit luhet më 24 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.