Sport

Vllaznia 100-vjeçare vlerësohet me titullin “Nderi i Kombit”

Në 100-vjetorin e themelimit të tij, klubi më i vjetër sportiv në Shqipëri, Vllaznia është nderuar me titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”. Medalja e lartë i është dorëzuar kryetares së bashkisë, Shkodër, Voltana Ademi nga presidenti i republikës, Ilir Meta. Në ceremoninë e dhënies së titullit, merrnin pjesë shumë sportistë të Vllaznisë që kanë veshur fanellën kuqeblu ndër vite, duke konkurruar në nivelet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fjalën e rastit, kreu i shtetit, Meta shprehu konsideratat më të larta për gjithë brezat e futbollistëve dhe trajnerëve që kanë kontribuuar te Vllaznia, duke e bërë atë një nga ekipet me historinë më të lavdishme në vendin tonë.

“Vllaznia ka dhënë kontribut dhe rezultate historike në fushën e sportit, fidanishte e talenteve që kanë mbështetur Vllazninë dhe ekipin kombëtar. Të rinj, juristë, artistë, profesorë, punëtorë, gazetarë, shkrimtarë dhe sportistë lanë mënjanë ndasitë fetare dhe dallimet shoqërore dhe u bashkuan për t’i treguar botës se shkodranët janë pjesa më e ndritur e civilizimit dhe identitet shqiptar, vlerave patriotike, e gjuhës, kulturës si dhe pasurisë së tij shpirtërore. Shoqëria ‘Vllaznia’ ngelet një nga shembujt më të civilizuar të rezistencës dhe aspiratës shqiptare për liri e progres shoqëror,”- tha presidenti Meta.

Bashkë me kryebashkiaken e Shkodrës, Ademi, presidenti Meta ka zbuluar edhe pllakatën në ambientet e jashtme të bashkisë, ku ekspozohet medalja e lartë. Më tej në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e themelimit të Vllaznisë është çelur edhe ekspozita me foto nga momentet më të suksesshme të Vllaznisë në këto 100 vite histori.

Pas Partizanit, Flamurtarit dhe Tiranës, Vllaznia bëhet klubi i katërt në vendin tonë që nderohet me medalje nga presidenti i Republikës. Rënia e vitit të shkuar nga kategoria superiore shkaktoi një dramë të madhe në të gjithë ambientin futbollistik shkodran, por kjo epokë e errtë nuk pritet të zgjasë shumë, pasi Vllaznia është në rrugën e mbarë për t’u ringjitur në Superiore.

Përveç klubit të sportit, nderime nga presidenti i vendit janë edhe për figura të shquara të sportit shkodran në këto 100 vite histori. Në sallën e teatrin “Migjeni” të Shkodrës, u zhvillua ceremonia e vlerësimeve të sportistëve të shquar shkodranë ndër vite, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Shoqërisë Sportive “Vllaznia”.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” është vlerësuar futbollisti i shquar shkodran e i ekipit tonë kombëtar, model i shumë brezave të rinj, Sabah Bizi. Gjithashtu Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh”: çiklistin Agim Tafili, atleten Arbana Xhani (Bekteshi), peshëngritësin Asim Belinovi, futbollistët dhe trajnerët Astrit Hafizi dhe Ramadan Rragami, Xhevdet Shaqirin (Pas vdekjes), futbollistët Edi Martini, Fatbardh Jera, Hysen Zmijani, golashënuesin Vioresin Sinani, atletin rekordmen Hysni Bebeziqin (Pas vdekjes), volejbollistët e spikatur Luigjino Mjeda dhe Mark Kroqi, basketbollistët Muhamet Sokoli e Refik Vorfa e Sokol Kalaj, basketbollisten frymëzuese Pina Haxhi (Vuka) si dhe mundësin e trajnerin Rrok Bardeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë