Art dhe Kulture

Vlashent Sata: Për me jetue, shpresue dhe me pa dritën

Nuk i mungoi vendit të tij as këtë vit. Në mes të mjegullave të frikës dhe pasigurisë që shkaktoi pandemia globale dhe humbjes së madhe personale, ndarjes nga jeta të të atit, muzikologut të shquar 83-vjeçar, Loro Sata, do ta gjente forcën tek muzika për të realizuar   festivalin “Zâ Fest,”, i cili në këtë edicion të katërt u shtri nga Thethi, drejt kalasë së Shkodrës.

Vlashent Sata rrëfen në këtë intervistë për Gazeta Si,  muajt e karantinës, ku u gjend më pranë se kurrë admiruesve të muzikës së tij, ndërsa luante muzikë live me piano duke i bërë më të gëzueshme ditë-netët e gjata të izolimit. Pak orë para koncertit “Copëzat”, që do të mbahet tek instalacioni “Reja”, në oborrin e Galerisë Kombëtare  të Arteve në orën shtatë të mbrëmjes, muzikanti dhe kantautori thotë se  është një nismë, një akt që flet për shpresën.

Je sërish në Tiranë, si çdo vit, ku veç Za Fest në Theth i ke ardhur publikut me koncerte si ai në Metropol apo në Akademinë e Arteve. Sot në mbrëmje do t’i sjellësh disi gjallërinë qytetit me koncertin “Copëzat”, tek Reja....

Koncerti i ri flet  për shpresën pas gjithë kësaj periudhe pandemie dhe vështirësie,  për të gjithë njerëzit. E nisim  në orën shtatë  të mbrëmjes, janë marrë masat e distancimit  fizik dhe hapësira është e  rrethuar. Është një performancë e Ilir Kasos, në çelje dhe të  dy studentëve të  tij që sjellin një ekspozitë me fotografi. Perfomancat e reja sjellin shpresën, përgjatë kësaj periudhe të turbullt . Ilir Kaso, artist vizual bën një performancë krejt ndryshe, Ilire Vinca do të lexojë disa poezi dhe unë  e përmbyll me një koncert për njerëzit aty. Disa nga këngët do të jenë të reja, disa të njohura.

Fishtë, qershor 2020. Foto Altin Prenga

Sa kohë pas të fundit, vjen koncerti “Copëzat”? Copëza të muzikës, të artistit, të shpirtit? Cilat janë “copëzat” që i ofron publikut, që këtë vit në fakt është shumëfish i etur për art pas izolimi të gjatë? Megjithëse në çdo koncert apo këngë të re që ke sjellë, unë e di që ti jepesh i plotë për ata që të dëgjojnë...

Koncertet  kanë qenë të shumta gjatë kësaj periudhe. Në Tiranë ishte në dhjetor, për fëmijët me Sindromën Down,  në Katedralen Ortodokse, ku kisha ftuar edhe Elina Dunin si bashkëpunëtore të vjetër. Pastaj, raporti me Instagramin, ku  kam dashur të kaloj barrierat e  teatrove për t’u qëndruar njerëzve afër  për t’u dhënë shpresë atyre dhe vetes. Qw nga maji, ndodhem në Shqipëri. Za Fest u xhirua në gusht dhe do të dalë shumë shpejt këtë vit. Më pas kisha një koncert në Tetovë dhe tani në Tiranë.

Vlashent Sata, Ilire Vinca

Siç kanë njoftuar edhe më herët në faqen zyrtare të “Zâ Fest,”, që tashmë po konsolidohet si  traditë dhe markë e dallueshme, ky edicion i katërt do të transmetohet online, për shkak të situatës së pazakontë.“Ndonëse të gjithë e njohim situatën e vështirë në të cilën ndodhemi, nuk duam gjithsesi të mungojmë, e të sjellim pak dritë shprese.  Së bashku do të shihemi shumë shpejt nëpërmjet ekraneve të rrjeteve tona sociale”, shkruhet në faqen zyrtare të festivalit.

Të ftuar këtë vit ishin aktorja nga Kosova Ilire Vinca, grupet muzikore “Shkodra elektronike” dhe “Sytë Band”, si edhe antropologu Nebi Bardhoshi. “Le t'i gëzohemi jetës, fillimeve të reja, gjërave të vogla, por me peshë të madhe! Hidhni pas krahëve atë çka ju ndalon së qeni të lumtur ! Rrethohuni nga pozitiviteti, qeshni, kërceni përqafohuni !”, përcjell si mesazh ky festival.  

https://www.youtube.com/watch?v=sfWzGRy7LHk

Një nga këngët e tua që më ka prekur thellë, është “Bab”, që në mos gaboj e ke kënduar së pari në koncertin tek Akademia e  Arteve. A do të jetë në këtë koncert ? 

Po.  Me gjithë vështirësinë për ta kënduar këngën “Bab”, kam qejf ta këndoj.  Programin  nuk para e zgjedh.  Me  djemtë që luaj, i përsërisim të gjitha këngët dhe i zgjedh gjatë  koncertit ato që do të këndoj. Ashtu si më vjen, ashtu këndoj, prandaj edhe këngët dalin pak më ndryshe. Sepse nuk jam nga interpretues që bën të njëjtën gjë dy herë.

Në elegjinë për të atin, ditën e ndarjes nga jeta, më 9 gusht Vlashent Sata shkruante:

Ti je muzika ime, dashnia për jetën, o i buti im zemërmal! Natë me shi sot baba im, po nesër me ty në shpirt prap kam me knu si mke msu ti! Drite paç o fëmija ma i bukur që kam njoft!

Theth, gusht 2020,foto:Armand Sallabanda

Nga fotot në Instagram më është dukur se ky edicion në Theth ka qenë një lloj retreat-i shpirtëror për ty. Ndonjë frymëzim i ri muzikor  apo një rizbulim i vetes mes natyrës?

Zâ Fest, këtë vit si përvojë për  ta realizuar ka qen si një luftë me veten për të mos menduar situata të veshtira personale dhe për t’u takuar  me problemet e zgjidhura personale.  Muzika  i bashkon të gjithë njerëzit kudo ku   në çfarëdo lloj forme që janë, dhe kam qenë shumë i lumtur që e realizuam edhe këtë vit dhe jam shumë mirënjohës të gjithë sponsorëve dhe mbështetësve, që janë bërë traditë, si Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe të gjithë sponsorët si Raiffeisen INVEST, Ministrinë e Kulturës, Iceberg Communication dhe Bashkinë Shkodër, që është edhe shtëpia e festivalit. Gjithashtu  bashkëpunëtorët tanë në  organizim dhe ndihmesa. Dua të falënderoj publikun që kanë qenë  prezent gjatë gjithë vitit  me kërkesa për videot e edicionit të shkuar, që pyesin “Kur do të jetë i riu, këtë do të ftoni, se duam të rezervojmë dhe duam të vijmë ta ndjekim”.  Na shkruajnë nga Australia dhe Kanadaja. Në Europë është bërë më e thjeshtë për shkak se distanca është më e shkurtër. Me gjithë zemër i them publikut të Zâ Fest, se Festivali jeni ju dhe natyra .

https://www.youtube.com/watch?v=XsI7vDChP9E

Një nga këngët e tua që ka pasur shumë sukses është edhe “Me jetu”. Si është me jetu’ dhe jo veç me mbijetu’, sipas Vlashentit?

Vlashenti nuk di më të japë postulate se çfarë është me jetu’ apo me mbijetu’, sepse edhe unë si të tjerët e shoh se është një lojë  midis të dyjave.  Kalon  sa te njëra apo te tjetra.  Por sot më shumë se kurrë e ndiej se është shumë më e thjeshtë  e më e nevojshme me jetu’ sesa  me ia kompliku’ vetes dëshirën për me jetu’, duke mbijetu’. Më saktë,  më shumë sesa dëshirën, nevojën për me jetu’,më shumë se me mbijetu’.

Si ka qenë jeta këtë vit në Paris për ty, si e ke ridimensionuar karrierën gjatë kësaj kohe? Të kam parë shumë aktiv në rrjetet sociale, ku na ke gostitur me muzikë drejtpërdrejt nga shtëpia jote ...

Periudhën e pandemisë deri më 6 maj kur erdha në Shqipëri, e  kam jetuar në Paris dhe ishte e mirë, sepse kisha vite  që vetëm vrapoja duke bërë shumë gjëra e  nuk kisha kohë të shijoja, të ngadaltën , të urtën... Ka qenë pjesë shuam e mirë dhe kontakti nëpërmjet rrjeteve sociale me publikun, me njerëzit ishte shumë  e  ngushtë se më dukej sikur po më ftonin në shtëpinë e tyre ose unë tek e imja dhe,  nuk ka gjë më të shtrenjtë në jetë se me nda’ momente bashkë.

Nëse mund të na zbulosh diçka për edicionin e katërt të Zâ Fest,  para se të transmetohet online?

Edicioni i katërt i Zâ Fest ka qenë edicioni më me zemër që kemi  përjetuar, të gjithë së bashku, duke pasur parasysh vështirësitë në të gjitha drejtimet e ajo që më ka prek’ më shumë se të gjithë komponentët, qoftë artistët e ftuar, qoftë grupi ynë, bashkëpunëtorët e mi  që u bashkuan në festival këtë vit, sponsorë dhe mbështetës u bënë si familje për ta realizuar. Më  shumë për t’i dhënë shpresë vetes përmes punës sonë dhe gjithashtu edhe njerëzve për me u bë bashkë e me pa dritën në fund të tunelit.

Cilat janë projektet e afërta? Një single i ri apo album?

Kam shumë gjëra në sirtar, të ndryshme, një këngë me muzikë dhe instrumente elektronikë, VST që quhen.Një këngë që është krejt zhanër tjetër, është elektronike. Muzika  dhe teksti është stili im, por është sjellë ndryshe. Pastaj kam projekte me pianon, këngë të tjera... Duhet  thjesht të ulem e të gjej hapësirën të marr pak frymë, por e sigurt që o të vijnë gjëra të reja. Intervistoi S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë