Futboll

Vjen konfirmimi, Messi mungon në tre sfidat kyçe të Barcelonës

Ngjason pak me dëmtimin e Muhamed Salah në finalen e Champions League, por ky i sulmuesit katalanas është pak më i rëndë. Lionel Messi ka qenë i pafat pasditen e së shtunës në përballjen që skuadra e tij pati me Sevilla, ku pësoi një dëmtim në krah. Sulmuesi argjentinas ishte autor i golit të dytë në minutën e 12, por vetëm 10 minuta më pas pësoi një dëmtim që e detyroi të linte fushën e lojës para kohe. Përplasja që 31-vjeçari pati me lojtarin e Sevijas ishte shumë e ngjashme me dëmtim që pati egjiptiani Salah disa muaj më parë, por këtë herë situata për lojtarin blaurgana është pak më e rëndë.

Pas disa ekzaminimeve të specializuara është përcaktuar koha e rikuperimit për argjentinasin, që nuk do mund të luaj në gjashtë ndeshjet e radhës me ekipin e tij. Bëhet fjalë për 6 sfida vendimtare për Barcelonën, ku tre janë më të rëndësishme. Katalanasit do të përballen dy herë me Interin në Champions League, këtë të mërkurë që vjen dhe atë të ardhshme dhe Real Madrid fundjavën që vjen në La Liga. Janë tre përballje kyçe për ekipin e Valverde, që do duhet t’i përballojë pa lojtarin kryesor. Nga ana tjetër kjo mungesë e argjentinasit është lajm i mirë për skuadrat kundërshtare, Inter dhe Real Madrid, që do e llogarisin ekipin katalanas pa lojtarin më të mirë në fushë.

Këto janë gjashtë ndeshjet ku do të mungojë Lionel Messi:

Champions League: Barcelona - Inter, 24 tetor

La Liga: Barcelona - Madrid, 28 tetor

Copa del Rey: Leonesa-Barcelona, 31 tetor

La Liga: Rayo - Barcelona, 3 nëntor

Champions League: Inter-Barcelona, 6 nëntor

La Liga:  Barcelona - Betis, 11 nëntor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë