Lajme

Vjedhje orash në Belgjikë, shkon në 10 numri i të arrestuarve

Pas 9 muajsh që nga operacioni i parë i koduar “Picaso”, ka shkuar në 10 numri i personave të arrestuar që akuzohen për vjedhje në Belgjikë.
Policia thotë se i arrestuari është shtetasi me inicialet K. D, 45 vjeç, banues në Tiranë dhe akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Vjedhja e kryer më shumë se një herë, në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”.
Siç njofton policia, ndaj këtij personi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg pa afat” dhe ka qenë person i shpallur në kërkim.
Nga Task Forca “Antiskifter” është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”.
Sipas letër-porosisë, nga hetimet e kryera në Belgjikë ka rezultuar se prej muajit dhjetor 2017 një grup shtetasish shqiptarë me qëndrim të përkohshëm në Belgjikë po kryenin vjedhje me thyerje të banesave dhe objekteve të tjera. Konkretisht këta persona pasi vidhin në banesa vlera monetare dhe sende me vlerë si flori etj, i dërgonin ato në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit janë kapur katër shtetas shqiptarë në Shqipëri dhe 6 shtetas të tjerë shqiptarë në Belgjikë. Ndaj këtij grupi kriminal drejtësia belge ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë