Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po zhvat shqiptarët për t’u pasuruar me ministrat dhe oligarkët.
Ish-deputetja demokrate, Lindita Metaliaj, me anë të një deklarate për mediat u shpreh se me skemën korruptive të inceneratorëve u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro.
“Vetëm me skemën korruptive të inceneratorëve, Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro, duke i futur ato në xhepat e Klodian Zotos, bashkëpuëntorit të Arben Ahmetajt dhe administrator në tre inceneratorët.
Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë skemë gjigande vjedhjeje është fakti se inceneratorët paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse 2 prej tyre as nuk ekzistojnë”, u shpreh Metaliaj.
Ish-deputetja tha se këto para nuk dihet se në xhepat e kujt përfundojnë, kompania është e regjistruar në parajsë fiskale dhe pronari i vërtetë është i panjohur.
“Sipas kontratës korruptive të firmosur nga Edi Rama, inceneratori fantazëm i Fierit ka marrë deri tani 18 milionë euro, ndërsa ai i Tiranës 14 milionë euro. Këto të fundit as nuk dihet në xhepat e kujt përfundojnë zyrtarisht, pasi kompania është e regjistruar në parajsë fiskale dhe pronari i vërtetë është i panjohur.
47 milionë euro të vjedhura me inceneratorët fantazëm dhe të paktën 8.5 milionë euro vetëm nga koncesioni i check up, që denoncuam dje, janë një pasuri e madhe që, në vend të investohen për shqiptarët, i shkojnë një grushti politikanësh dhe oligarkësh të korruptuar.
Pasurimi i paligjshëm është prioriteti absolut i Edi Ramës dhe mënyra e vetme për të mbajtur pushtetin e tij të paligjshëm”, tha ish-depututja.
Ndër të tjera, ajo tha se për t’i dhënë fund kësaj krize “duhet zhbërë pushteti i paligjshëm i Edi Ramës. Antidoti i vetëm për ketë virus janë zgjedhjet e lira e të ndershme, që do t’i japin vendit një qeveri e cila u shërben qytetarëve, duke nisur me anullimin e koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, si ky i inceneratorëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.