Politike

Vizat, Danimarka ndjek Holandën. Shkak janë emigrantët shqiptarë

Politikanët danezë në Bashkimin Europian po shqyrtojnë mundësinë e përforcimit të regjimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, pas përhapjes së disa artikujve që thonë se Danimarka është shndërruar në një vend tranzit për emigrantët e paligjshëm shqiptarë që tentojnë të mbërrijnë në Britaninë e Madhe.

Kështu shkruan në versionin e saj anglisht “The Copenhagen Post”, një prej gazetave më të shitura në Danimarkë. E përjavëshmja skandinave shton se Gjiri i Esbjergut është pika e nisjes së emigrantëve shqiptarë, të cilët fshihen kryesisht nëpër kamionë transporti mallrash e konteinerë për të hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Në tre muajt e fundit, thotë gazeta, janë ndaluar 54 shtetas shqiptarë në përpjekjë për të mbërritur në brigjet britanike.

Kjo temë është rikthyer në vendin skandinav si shqetësim publik dhe politik pas miratimit nga Parlamenti holandez të rezolutës që i kërkon qeverisë vendase të lobojë në Bruksel për rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Ndryshe nga debati në Holandë, në Danimarkë ata pak zëra që po flasin për këtë cështje nuk përdorin si justifikim krimin e organizuar, por emigracionin e paligjshëm.

Megjithatë, as emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve që përdorin territorin danez si rrugë kalimi për në Britaninë e Madhe nuk është në përmasa të pazakonta. Numri prej 54 emigrantësh shqiptarë të kapur brenda tre muajve në Gjirin e Esbjergut është një shifër normale, madje më e ulët se shifrat tremujore të publikuara nga autoritetet daneze për 2016 dhe 2017 në të njëjtin gji.

Rastësi apo jo, ky debat rikthehet në Danimarkë dhe dy-tre vende të tjera të Bashkimit Europian gjithmonë në muajt prill, maj dhe qershor, që përkon me javët para vendimmarrjes së institucioneve të Bashkimit Europian për hapjen, ose jo të negociatave të anëtarësimit të vendit tonë.

Vitin e kaluar, para se Këshilli Europian të vendoste për çështjen e negociatave për Shqipërinë, Danimarka, së bashku me Francën dhe Holandën ishin tre vendet që iu kundërvunë vendimit për hapjen e tyre dhe si rrugë e mesme u gjet hapja e tyre në qershor të 2019.

Qershori 2019 po vjen. Komisioni do të dalë sërish me një raport pozitiv për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe sërish janë po të njëjtat vende që kanë përçuar sinjale të forta për moshapjen e tyre, por me arsyetime krejt të ndryshme. Përballë rritjes së populizmit dhe me zgjedhjet europarlamentare në derë, Presidenti Macron nuk e gjen fajtorin tek Shqipëria, por tek ndryshimi i parësive. Në samitin e Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor ai kërkoi që për çështjen e negociatave të mos flitej, duke i qëndruar linjës se për Bashkimin Europian duhet të mbërrijë reformimi i brendshëm dhe më pas zgjerimi.

Ligjvënësit holandezë nga ana tjetër ngritën si shqetësim atë që e quajnë rritje të kriminalitetit shqiptar në vendin e tyre. Për këtë, ata miratuan një rezolutë që kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët. Asnjë kërkesë zyrtare e qeverisë holandeze nuk është dorëzuar në Bruksel dhe rikthimi i vizave është përjashtuar, por dëmi u shkaktua në imazhin e vendit para vendimmarrjes për hapjen e negociatave.

Në Danimarkë, debati nuk ka mbërritur as në përmasa, as në nivelet e diskutimeve që u mbajtën në Holandë, por “shqetësimet” mediatike për emigrantët e paligjshëm shqiptarë mund ta vendosin në një pozicion të vështirë qeverinë vendase, që përballë këtij presioni mund të ngurrojë që të japë dritën jeshile në fund të këtij qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë