Ne rrjet

“Negociatat të hapen në qershor! Çdo datë tjetër rrezikon kaos në Ballkan”

Bashkimi Europian duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë qershor. Çdo datë tjetër e mëvonshme rrezikon që të zhysë në kaos gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të trazojë edhe vetë unionin.

Ky është thelbi i analizës së Financial Times publikuar së fundmi. Artikulli është një paralajmërim i zymtë mbi mundësinë që Ballkani të zhytet në një klimë tjetër pasigurie, e deri konflikti të armatosur për herë të parë pas luftërave të viteve ’90, nëse Brukseli vendos që të mos eksportojë qëndrueshmëri.

Financial Times thekson se më shumë sesa mosplotësimi i kushteve për hapjen e negociatave nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, vendimi po kushtëzohet nga politikat e brendshme ditore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Vendimi duhet të jetë i njëzëshëm që të quhet i vlefshëm. Nën presionin e kundërshtarëve politikë në vendet e tyre, disa qeveri, kryesuar nga Franca dhe Holanda po ngurrojnë në përmbushjen e zotimit të dhënë për hapin e radhës të zgjerimit”, thotë Financial Times.

Prestigjiozja britanike shton se Franca është përqëndruar më fort në reformimin e vetvetes dhe Bashkimit Europian, duke hequr vëmendjen nga paqja e brishtë në rajonin e Ballkanit.

“Ballkani shquhet si rajon ku konfliktet etnike, fetare dhe territoriale janë ende të ndezur. Maqedonia e Veriut po lëvdohet si shembull suksesi pas marrëveshjes me Greqinë që i dha fund përplasjes disavjeçare për çështjen e emrit. Megjithatë, nëse zotimi dhe vullneti i Shkupit dhe të tjerëve në Ballkan për fqinjësi të mirë nuk vlerësohet me hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor, çdo shtyrje mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për progresin e regjistruar deri më tani”, theksohet në artikull.

Aty paralajmërohet gjithashtu se edhe një diferencim mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë proces, duke hapur negociatat për Shkupin dhe duke i shtyrë ato për Tiranën, mund të përbëjë një rrezik për Ballkanin.

“Kjo do të ishte si t’i hidhje benzinë zjarrit të nacionalizmit shqiptar, duke detyruar dhe tunduar politikanët dhe aktivistët në Shqipëri dhe Kosovë që të braktisin shpresën e integrimit në Europë dhe të përfaqësojnë kauzën e Shqipërisë së Madhe. Kjo do të helmonte dialogun dhe përpjekjet për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, e po ashtu do të ndizte edhe përplasjet etnike mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje”, paralajmëron Financial Times.

Përveç gjithë këtyre skenarëve të zymtë që parashikon, artikulli kujdeset që të theksojë edhe faktin që rajoni nuk ka imunitet ndaj ndërhyrjeve të vendeve të treta, si Rusia, Kina dhe Turqia. “Rusia ishte pas një grushti shteti të dështuar në Mal të Zi në 2016, Turqia financon islamin politik, ndërsa Kina po zgjeron ndikimin e saj përmes investimeve dhe nismës “Një brez, një rrugë”, theksohet në analizë.

Për të gjitha këto arsye, Financial Times i këshillon vendimmarrësve të Bashkimit Europian që ta peshojnë mirë vendimin që do të marrin në samitin e fundit të qershorit. “Kritikët po qortojnë mungesën e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Ballkan, por BE duhet të ketë parasysh edhe entuziazmin e qytetarëve të këtij rajoni kur bëhet fjalë për reformat”, shton Financial Times.

“Besimi i vendeve të rajonit tek Bashkimi Europian dhe entuziazmi dhe optimizmi për reformat e vështira që kërkohen për të fituar anëtarësimin do të zbehen nëse nga samiti i muajit tjetër nuk dërgohet një sinjal pozitiv. Çdo vendim tjetër, qoftë ai edhe i shtyrjes me disa muaj do të shkaktojë kaos në Ballkan dhe dëmtojë Bashkimin Europian, që në këtë rast do të ishte po aq fajtore, sa të qëllonte veten në këmbë”, mbyllet artikulli në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë