Rend dhe Ligj

Vit “i rehatshëm” për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

Të qënurit anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2021 mund të jetë puna më e rehatshme. Ky institucion i ngritur në kuadër të reformës në drejtësi për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikuar për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për këtë vit mund të jetë i padobishëm.

Pse? Gjykata Kushtetuese nga nëntë anëtarë që duhet të ketë në total, aktualisht ka shtatë të tillë. Parlamenti dhe Presidenti kanë plotësuar kuotat kushtetuese me nga tre anëtarë. Dy vakancat e mbetura dhe zëvendësimi i Vitore Tushës, që i ka përfunduar mandati që në vitin 2017 është detyrë e Gjykatës së Lartë.

Vitore Tusha u emërua në Gjykatën e Lartë në mars të 2008-ës. Përcaktimet ligjore dhe kushtetuese detyronin deklarimin e përfundimit të mandatit të saj në mars të 2017-ës, kur u përfundonte mandati 9-vjeçar. Kështu ndodhi. Më 10 mars 2017, Gjykata Kushtetuese deklaroi përfundimin e mandatit të saj përmes vendimit nr.19.

“Gjykata Kushtetuese vendosi deklarimin e mandatit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha në datën 10.03.2017. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë!”, thuhet në këtë vendim të Kushtetueses të marrë nga ish-anëtarët Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo.

Por mes dorëheqjeve dhe vettingut, të gjithë emrat e mësipërm u larguan nga Gjykata Kushtetuese, Vitore Tusha jo. Ajo është ende në detyrë sot, thuajse katër vite përtej përfundimit të mandatit dhe e gjitha falë dispozitave kalimtare të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, që përcaktuan se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që u përfundonte mandati brenda vitit 2017 zëvendësoheshin nga anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Vitore Tusha është e vetmja me mandat të përfunduar, që mund të zëvendësohet në 2021, gjithmonë nëse më parë do të plotësohet kuorumi i nevojshëm në Gjykatën e Lartë për të miratuar listën me kandidatë që duhet t’i dorëzohet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Mandatet e radhës që përfundojnë janë në pranverën e 2022-it. Kjo do të thotë se detyra për të ripërtërirë Gjykatën Kushtetuese do të pasohet tek një KED i ri. Sa i takon zëvendësimit të Vitore Tushës, teorikisht kjo duket e pamundur, duke qenë se ajo duhet të zëvendësohet nga Gjykata e Lartë.

Gjykata e Lartë e ka nxjerrë që në janar të 2017 thirrjen për kandidatët për të zëvendësuar Vitore Tushën në Gjykatën Kushtetuese. Afati maksimal për pranimin e aplikimeve ishte 30 ditë nga publikimi i njoftimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Por, kanë kaluar katër vite dhe ende nuk ka anjë listë kandidatësh të përcjellë nga ky institucion në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që më pas ky Këshill të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidaturave dhe t’ja përcjellë më pas sërish Gjykatës së Lartë për përzgjedhjen e një emri.

Pas këtij procesi, nga lista e dorëzuar nga KED do të zgjidhej zëvendësuesi i Vitore Tushës me shumicën e votave të mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Por, vetë mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ka një pengesë të pakalueshme; kuorumin.

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë është e vlefshme vetëm nëse marrin pjesë tre të katërtat e të gjithë anëtarëve të saj, pra kur janë të pranishëm të paktën 14 nga 19 anëtarët gjyqtarë. Por, sot Gjykata e Lartë ka vetëm tre nga 19 anëtarët e saj. Kjo do të thotë se Gjykata e lartë nuk e bën dot kuorumin për Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe ajo nuk mund të zgjedhë dot anëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Këtu hyn në lojë një tjetër hallkë e reformës në drejtësi; Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas Kushtetutës është ky institucioni përgjegjës për përzgjedhjen dhe plotësimin e Gjykatës së Lartë, përmes propozimit të emrave që i dërgohen Presidentit.

Presidenti ka të drejtë të refuzojë kandidaturat nëse konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit, ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit, por dekreti i Presidentit për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë