Propozim Sport

Villaplane, kapiteni i Francës që vriste për llogari të Hitlerit

l lindur në Algjeri, më 1905, Alexandre Villaplane ishte lojtari i parë me origjinë afrikano-veriore që luajti për Francën. Në moshën 16-vjeçare, ai kishte shkuar të jetonte me xhaxhallarët në bregun jugor dhe u bashkua me klubin e tij të parë, FC Sète 34, ku trajneri-lojtar i skuadrës, skocezi Victor Gibson, e vuri re talentin e tij dhe e mori në skuadrën e parë. Futbolli profesionist nuk lejohej ende, megjithatë klubet e gjenin mënyrën për t’i paguar lojtarët dhe më 1927 Villaplane mori një ofertë nga Nimes, klubi rival i Sète, me premtimin për një punë të rreme, për të cilën do të paguhej bujarisht. Pikërisht te Nimes fitoi admirimin e të gjithë vendit.

Ai ishte jo vetëm lojtari energjik e luftarak që tifozët gjithmonë e duan, por vlerësohej edhe si lojtari më i mirë i vendit në ajër dhe si një nga pasuesit më të mirë të brezit të tij. Luajti për herë të parë me Francën më 1926, kundër Belgjikës, dhe u caktua kapiten para fillimit të botërorit të parë. Ndërkohë, ai kishte nisur me kohë të bënte një jetë që përflitej. Më 1929 u rekrutua nga Racing Club de Paris, që nën një presidencë të re, synonte të bëhej klubi më i madh në vend dhe marrëveshjen me Villaplanen e kishte prioritet. Profesionalizmi ishte ende tre vjet larg, por Villaplane nuk bënte asnjë përpjekje për të fshehur faktin që fitonte shumë dhe shfaqej nëpër bare, kabare e sidomos në pistat e garave me kuaj, ku filloi të shoqërohej me njerëz të dyshimtë. Kur profesionalizmi më në fund u legalizua më 1932, klubi Antibes vendosi të investonte për një të ardhme të madhe dhe hapi i parë, ashtu si Racing tre vjet më parë, ishte të merrte Villaplanen.

Në atë kohë, kampionati ishte i ndarë në dy grupe, veri e jug, dhe fituesit e secilit grup ndesheshin për titullin. Antibes fitoi grupin e jugut dhe më pas mundi SC Fives Lille në finale, por më pas doli se ndeshja  kishte qenë e fiksuar. Antibes iu hoq titulli dhe trajneri u dënua, por besohej gjerësisht se ai ishte vetëm një kokë turku. Villaplane dhe dy shokë skuadre, me të cilët ai kishte luajtur më parë te Sète, dyshoheshin si komplotuesit e vërtetë. Shumë shpejt të tre lojtarët u lanë të lirë të largoheshin. Nice mori Villaplane, por shpejt u pendua. Disa herë u gjobit për mungesë në stërvitje dhe, kur luante, mezi ecte në fushë, duke u shfaqur jashtë forme dhe i pa interesuar. Nice e la të lirë dhe klubi i vetëm që e dëshironte ishte Bastidienne de Bordeaux, i divizionit të dytë, që drejtohej nga trajneri i dikurshëm te Sète, Gibson. Pas tre muajve, gjatë të cilëve Villaplane nuk shfaqi asgjë, skocezi e përzuri. Pas kësaj Villaplane u zhduk nga futbolli. Por më 1935 u rishfaq në faqet sportive, këtë herë për burgosjen për shkak se kishte fiksuar garat e kuajve në Paris dhe Cote d’Azur.

Alex Villaplane, nga e djathta, kapiten i Francës në ndeshjen kundër Meksikës në finalen e Kupës së Botës 1930

Lufta

Në qershor 1940, Parisi ra në duart e nazistëve. Pushtimi përhapi dëshpërim te shumica, por për disa njerëz ai sillte mundësi të reja. Pushtuesit kishin nevojë për ndihmë për t’u integruar dhe krijuan lidhje me vendas të klasifikuar si njerëz të nëntokës, për të siguruar gjithçka që nuk mundeshin vetë, që nga karburanti dhe te ushqimi. Një kriminel vendas rezultoi si veçanërisht i dobishëm, Henri Lafont, një jetim analfabet, i cili do të bënte ligjin. Disa nga shefat nazistë donin ta hiqnin qafe Lafontin, pasi besonin se nderi i Reich-ut po përlyhej nga shoqërimi me ca hajdutë të rëndomtë. Kështu që Lafont provoi se ishte i vlefshëm duke ndjekur e torturuar personalisht liderin e rezistencës belge. Sa më tepër rritej influenca e Lafontit, aq më tepër njerëz rekrutonte. Hyri në burgjet e Parisit dhe rregulloi lirimin e bashkëpunëtorëve të vjetër dhe kujtdo tjetër që mund ta ndihmonte të forconte pozitat në rendin e ri shoqëror. Pierre Bonny, dikur polici më i famshëm i Francës, para se të burgosej për korrupsion, u bë krahu i tij i djathtë. Në një farë kohe, ata u lidhën me Villaplanen, aktiviteti i të cilit tashmë përfshinte edhe kontrabandën e arit. Grupi e vendosi selinë e tij në Rue Lauriston 93, ndoshta adresa më famëkeqe në historinë pariziene, streha e bandës që u bë e njohur me emrin Gestapoja Franceze.

Ekipi francez ne Uruguay 1930

Gestapoja Franceze

Qëllimi i bandës ishte të pasurohej shumë dhe kështu bëri, duke furnizuar nazistët me gjithçka që kishin nevojë. Ata nuk ishin ideologë, por për të ruajtur besimin e padronëve të tyre, të cilët i kishin pajisur me uniforma SS, ata gjurmonin vazhdimisht çifutët, luftëtarët e rezistencës dhe shumë armiq të tjerë të Reich-ut. Në bodrumin e Rue Lauriston 93 torturoheshin shumë njerëz.

Brigade Nord Africain

Gjatë vitit 1943, rezistenca franceze kundër gjermanëve u intensifikua. Gestapoja lokale u urdhërua. të ndihmonte në shfarosjen e rebelëve. Meqenëse Hitleri kishte themeluar një gazetë në gjuhën arabe, e cila e përshkruante Führerin si çlirimtarin e madh, me synimin e çlirimit të popujve të shtypur nga kolonializmi dhe komunizmi, Lafont pati idenë e forcimit të gjermanëve duke formuar një skuadron luftëtarësh nga emigrantët. Në shkurt 1944 autoritetet gjermane dhanë miratimin. U formua Brigade Nord Africain (BNA), e instruktuar për spastrimin e rajonit Périgord. Në krye të saj ishte Viiiapiane, i graduar nëntoger i SS. Njësia e Villaplanes u bë shpejt e njohur për mizorinë e saj. Më 11 qershor 1944, për shembull, ata arrestuan 11 luftëtarë të rezistencës në Mussidan, një fshat i vogël në Dordogne. Me moshë 17 deri 26 vjeç, guerrilasit u çuan në një kanal dhe u vranë.

Rënia

“Kanë plaçkitur, dhunuar, grabitur, vrarë dhe bashkëpunuar me gjermanët për mizori edhe më të rënda, për ekzekutime nga më të tmerrshmet”, deklaroi prokurori në gjyqin e Villaplanes, pas çlirimit të Parisit. Me gjithë barbarinë e BNA-së, luftëtarët e rezistencës u rritën në numër. Villaplane nisi të kuptonte se Gjermania mund të mos e fitonte luftën. Filloi të përpiqej të minimizonte rrezikun.

Villaplane, Lafont, Bonny në sallën e gjyqit

Kreu akte publike mëshire, duke lejuar t’ia mbathnin shumë nga njerëzit që duhej të ndiqte, duke kultivuar idenë se ai punonte me nazistët vetëm me qëllimin për të ndihmuar patriotët e tij. Në gusht 1944, teksa forcat aleate afroheshin, parisienët u ngritën. Trupa të ushtrisë franceze, më tepër se gjysma afrikanë, arritën të plotësonin çlirimin e kryeqytetit francez. Reprezaljet kundër të dyshuarve si kolaboracionistë ishin të shpejta e të përgjakshme. Megjithatë. krerët e Gestapos Franceze nuk u linçuan. Ata u kapën e u nxorën në gjyq, ku u dënuan me vdekje. Të nesërmen e Krishtlindjeve, më 1944, Villaplane, Lafont, Bonny e pesë të tjerë u çuan në Fort de Montrouge në rrethinat e qytetit e aty u pushkatuan.

Pushkatimi i Villaplane, Lafont, Bonny

Më Shumë