Politike

Viktimat e Covid, Basha i drejtohet Ramës: Prano hetimin e prokurorisë

Lulzim Basha iu kundërpërgjigj përmes një videomesazhi të shkurtër të shpërndarë përmes rrjeteve sociale akuzave të Edi Ramës që tha se opozita po përdor vdekjen për të ardhur në pushtet, duke iu referuar denoncimeve të kreut të PD-së për manipulim të numrit të viktimave.

Në këtë mesazh, kreu i PD-së e sfidoi Kryeministrin që nëse nuk ka gjë për të fshehur në lidhje me shifrat e viktimave të Covid, të pranojë hetimin.

“Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë”, tha ai.

Basha akuzon Ramën se vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai fajësoi drejtpërdrejtë Kryeministrin se pasi i braktisi mjekët dhe infermierët përgjatë muajve të pandemisë, tani po i keqpërdor për të fshehur shifrat.

“Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria. Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë. Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten. Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave”, deklaroi kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë